Shtëpia / Politika / Mblidhet Kuvendi në 10:00, opozita rikthehet sot pas 2 vitesh mungesë, kush do e shoqërojë Berishën

Mblidhet Kuvendi në 10:00, opozita rikthehet sot pas 2 vitesh mungesë, kush do e shoqërojë Berishën

Paraditja e 10 shtatorit pritet ta gjejë të mbushur sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të nisin punimet e legjislaturës së X-të.

Sot, Kuvendi pritet të mblidhet dy herë, fillimisht në orën 10:00 ku do të ngrihet Komisioni për Verifikimin e Mandateve dhe më pas, sërish në 17:00, ku pritet që të bëhet funksional Kuvendi me 140 deputetët e rinj.

Me Lindita Nikollën në krye të Parlamentit, punimet e sotme risjellin opozitën pas 2 vitesh në Kuvend, ku Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bashkë me aleatët dolën të bashkuar në shkurtin e 2019-ës për të hyrë sot më të përçarë se kurrë.

Opozita hyn në Kuvend me një çarje të fortë që u zyrtarizua dje në Partinë Demokratike, ku Lulzim Basha përjashtoi liderin historik Sali Berisha deri në përfundimin e procesit të tij gjyqësor përballë SHBA-ve.

Ky vendim ka sjellë një përçarje në PD, ku grupi parlamentar heziton të shprehet zyrtarisht për vendimin ndërsa 5 deputetë demokratë kanë dalë hapur në krah të ish-kryeministrit.

Berisha garantoi se do të jetë sot në Kuvend, por ngelet për t’u parë se kush do e shoqërojë tashmë që është i vetëm dhe pa grup parlamentar.

Në bazë të protokollit, sot në Kuvend do të jenë të pranishëm edhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim dhe përfaqësues të Ambasadave të tjera, përfshi edhe BE.

Distancimi fizik do të aplikohet edhe në këtë legjislaturë duke ulur në sallën e mbledhjes plenare një numër të barabartë deputetësh nga shumica dhe opozita.

Pjesa tjetër do të akomodohet në llozha dhe në zonën e dedikuar publikut e gazetarëve, pasi këta të fundit nuk do të jenë prezent për shkak të masave të ndërmarra ndaj pandemisë.

j.l./ dita

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …