Shtëpia / Politika / “Kali ngordhi”. Kur e mori Basha vendimin e papritur, a ia komunikoi Berishës para se ta shpallte në media? Çfarë pritet të ndodhë me Bashën dhe partinë

“Kali ngordhi”. Kur e mori Basha vendimin e papritur, a ia komunikoi Berishës para se ta shpallte në media? Çfarë pritet të ndodhë me Bashën dhe partinë

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

 

Askush nuk e ka sot hallin e Sali Berishës. Ai do të jetë në Kuvend, duke e ditur se kulla e tij është shembur dhe se nga gërmadhat e rëna nuk mund të ngrihet asnjë godinë e re. Përballë vetes do të ketë 139 deputetë të tjerë, disa nga të cilët kanë lindur pas kohës së tij të liderllëkut, nga cilët, ka prej atyre që  e shohin si heroi i kohës së prapme dhe të tjerë si njeriu që nuk duhet të jetë aty. Në fakt, nuk do të duhej të ishte asnjëherë.

Tani atij nuk do i duhet të ndeshet me Fatos Nanon, të cilin, pasi e dërgoi në burg, e anatemoi dhe e quajti vrasës, e, shumë herë, e keqja e madhe e Shqipërisë,e, më pas e bëri mik dhe e mikloi, për të pasur rishtas armik. Nuk do i duhet të ndeshet as me Ilir Metën, i cili, befas, urdhëroi ta ndalonin, ta nxirrnin me forcë nga makina ku ishte blinduar, ta dërgonin si një endacak të rëndomtë në një rajon policie, për t’u bërë më pas vëllamë dhe bashkëpunëtorë në krim. Nuk do të ketë ballas as Aleksandër Meksin, më të mirin kryeministër të demokratëve, që normalisht do të ishte lideri i opozitës, por që forcërisht ia mori drejtimin. Nuk është e vështirë të mendoj se si do të kishte qenë ky vend nëse Berisha nuk do të ishte asnjë ditë në politikë. Në 30 vite, e keqja mori emrin e tij.

Kopertina e Ditës, 10 Shtator 2021

Kundërshtari i tij nuk është as Edi Rama, të cilin kaq herë kërkoi ta zvarrisnin në ujrat e Lanës, apo kishte kërkuar një snajper të pestë në dorën e pestë për t’a vrarë. Rama mbetet aty ku është, kryeministër, i mirë apo i keq, ndërtues apo shkatërrues, kjo nuk është më në dorën e Berishës.

Berisha e di se përballë vetes ka njërin nga institucionet më të rëndësishme të botës, Departamentin Amerikan të Shtetit. Ambasadorja Kim është veçse lajmësi dhe, sado që të përpiqet të njësojë një Zonjë me një Institucion dhe, për më tepër, të nxisë një lukuni kundër saj, fakti nuk ndryshon: llogaritë janë bërë në Uashington, fatura i ka ardhur përmes zëdhënësit.

Si rrallë herë ndodh kjo me një politikan që për 30 vite ka luajtur në skakierën e politikës; ai e ndjen se nën këmbët e tij nuk ka më as tokë, as rërë, e për më tepër, as ujë. Gjithçka është e rrëshqitshme dhe ai është në rënie. Besnik i parimit se, “pas meje, u bëftë qameti”, ai e ka më të lehtë të tërheqë pas vetes gjithë ngrehinën e opozitës, se sa të mendojë se do të jetë i vetëm në fundin e gërmadhave. Mes shumë zjarreve njëherësh, ai ende nuk e vendos dot se cilën rrugë mund të marrë, për të shpëtuar atë çfarë mund të shpëtohet. Jo vetëm fatin e tij , apo të familjes së tij.

Të largohet nga parlamenti – kjo është gjëja e fundit që i ka shkuar në mendje. Ai e ka ditur para të tjerëve se do të jetë një ditë e tillë. Dy njerëz e kanë ditur, ai dhe Edi Rama. Nuk është ditur koha, por është pritur vendimi. Askush tjetër nuk ia ka hedhur në erë urat e demokracisë vendit të tij në këto 30 vite se sa ai vetë – këtë e di fare mirë, sepse e ka bërë jo rastësisht, ashtu si jo rastësisht u gjend në kreun e opozitës. Shpallja nuk dihej, vendimi pritej.

Largimi nga parlamenti ishte dërrasa e fundit që do të ngulej mbi politikanin Berisha. Dorëzimi i tij i pashpresë. Pranimi i humbjes dhe i 30 viteve humbje, në të cilat nuk kishte humbur vetëm ai, por i gjithë vendi, ku ai kishte drejtuar. Përherë agresiv, joshës i së keqes dhe prijëtar i saj , ai, sado gjatë të rrijë në parlament, nuk largohet prej saj ashtu si hyri, me bluzën e bardhë, por të përgjakur.  Një fund që nuk shmangej dot. Së bashku me të do të shembej edhe një lob i fuqishëm që fshihej pas tij, që në shumë raste kishte lidhje me lobin e furishëm serb, në Tiranë e sidomos në Prishtinë. Do të ishte paralajmërim edhe për liderët e tjerë shqiptarë, të cilët, çuditërisht, në këto 30 vite, kishin afruar pranë vetes një shumësi njerëzish, të cilët, në rrethana të ndryshme i kishin shërbyer regjimit të shtetit serb në Kosovë. Këto emisarë, që nga i pari, i cili  arriti në janarin e vitit 1991, u takua me Azem Hajdarin dhe solli “donacionet” e para financiare dhe udhëzimet për shkatërrimin e çdo gjëje, që nga serat dhe deri tek vizioni i përbashkët shqiptar rreth bashkimit të kombit, e deri të tashmit, që ndërtojnë programe e statute partish të majta, tellallë të ndryshimit të kufijve apo zëdhënës qeveritarë, me dorëzimin e Berishës do të kishin më pak frymëmarrje. Ndoshta ky do të ishte fillimi i fundit të ndikimit të lobit serb në Shqipëri, e, edhe më tej, në Kosovë. Vetëm kur kujtoj se si një figurë e rënduar nga shërbimi që bënte ndaj UDB-së, shefi i saj në Pejë, Mehmet Loci bëhej këshilltar I Rugovës, e më pas, i Gazidedes dhe i dërgonte informacione për lëvizjet e UÇK-së, apo se si Shkëlzen Maliqi shpallej si këshilltar i Ramës, kur i ati kishte qenë ministër i brendshëm në vitin 1981, dhe ai vetë, së bashku me Veton Surroin partizanë të flaktë të neojugosllavizmit, është mjaftueshëm qartë për të ditur se deri ku shkonin fijet e një vijë sjellje të tillë. Fazlliqi, nipi i Stanishiqit, shefit të shërbimit të fshehtë serb, bëhej miku i shtëpisë i Berishës dhe beniamini i Bashës, hynte pa teklif në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, blinte e shiste prona përmes studios Malltezi, lëvizte miliona nga llogaritë e fshehta në banat qipriote, nën mbrojtjen personale të Berishës nuk guxonte asnjë prokuror ta pyeste; për të shkuar më tej te krushqia e habitshme e Ballkanit të Hapur – një surrogato politike pa asnjë vizion.

Tani që Shtetet e Bashkuara janë të gatshëm të ndalojnë influencën ruse dhe serbe në Ballkan, duke vënë në lëvizje figura të njohura për agresivitetin e tyre dhe përcjelljen e një vizioni ndryshe, ai që ndjen tërmetin politik është pikërisht lobi i politikës serbe në rajon.

Berisha, jo vetëm sot, dita e parë e një parlamenti, ku ai shkel për të dhjetën legjislaturë rradhazi, ndonëse kishte premtuar se në politikë do të ishte vetëm përkohësisht, por deri në cakun e fundit të fuqisë së tij, do të qëndrojë për të ngritur sado pak nga ngrehina e shembur e jetës së tij. Lulzim Basha dje e përjashtoi përkohësisht Sali Berisha nga Grupi Parlamentar. I kërcënuar apo me llogari Lulzim Basha beri një veprim që do i kushtojë shumë për karrierën e tij politike. Drejtimi i tij në krye të PD nuk do jetë si më parë. Ai do të duhet të përballet jo vetëm me mazhorancën por dhe njerëzit e Berishës. Berisha vetë do të pranonte një mijë herë të mos ishte fare, se sa të dëgjonte gjykimin e Lulzim Bashës, Gazment Bardhit, Dumës, Salianjit etj. Njëjtë si dikur Mehmet Shehun e gjykonin Pali Miska, Lenka, Simon Stefani….o kohë e mjerueshme që përsëritesh!

Largimi apo vetlargimi i Berishës do të jetë shpallja përfundimtare e turpit të jetës së një politikani, i cili, sikur të mos kishte qenë pjesë e politikës, gjërat do të kishin qenë ndryshe. Askush si ai nuk e ka dëmtuar këtë vend në 30 vite. Nën petkun e mëkateve të tij fshihen edhe mëkatet e tashme të Ramës, ashtu si janë fshehur të Metës apo Nanos. Politika agresive, përçarëse, arrogante, e vrazhdë dhe pa asnjë tolerancë e ka zanafillën tek ai.

Berisha e di- ikja e tij është fundi i tij dhe fillimi i fundit të familjes së tij. Mëkatet e liderit të dikurshëm presidencial dhe kryeministror janë shumëfishuar në progresion gjeometrik nga familja e tij biologjike. Berisha i vitit 1997, që dërgonte fëmijët e tij te pjesët e fisit në botë pasi arka e tij private shte thuajse bosh, nuk është më. Berisha i asaj kohe nuk kishte pasuri as sa breçkat që shet në butikën e saj e dashura e të birit,ndërsa sot është familje milionere. Çanta e të birit është proverbiale. Mjerisht, historia e liderëve të fortë të Ballkanit me djem plangprishës, u përsërit. Por, edhe pa ato, bëmat e Berishës janë aq të mëdha, sa që, edhe sikur dhjetë herë të shpallej “ non grata”,aq herë do e kishte merituar. Analistë pranë tij, që duan të bëjnë të mençurin e të shumëditurin, duke e lidhur dënimin e tij me vitin 1997, pa dashje japin kohën kur ai duhej të ishte shpallur i padëshiruar, jo nga DASH, por nga vetë shqiptarët dhe këtë, edhe pse ishte në të mirë të vendit, nuk e bënë dot socialistët të marrosur nga pushteti, e si zakonisht, bythëpambukë. Edhe tani socialistët në pushtetin e mandatit të tretë e duan Berishën në parlament. Si një lloj gogoli , pas së cilit mund të fshehin mëkatet e tyre.

Berisha do të rrijë në parlament. Asnjë depozitë ligjore nuk e shkul dot dhe asnjë protestë e Departamentit të Shtetit nuk zë vend tek ai.

Nga mbrëmë ai është një kalë i ngordhur, i cili do të luftojë me thonj për pushtet.

Kjo është beteja e jetës së tij. E di që është i humbur, por nuk ka rrugë tjetër.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …