Shtëpia / Politika / “Ata që po ndëshkohen na kërkojnë mëshirë? Kë të mëshirojmë? Gangsterët që bëjnë ligjin, sillen si duan, grabisin dhe shfrytëzojnë pa mëshirë shqiptarët në vendin e vet?”

“Ata që po ndëshkohen na kërkojnë mëshirë? Kë të mëshirojmë? Gangsterët që bëjnë ligjin, sillen si duan, grabisin dhe shfrytëzojnë pa mëshirë shqiptarët në vendin e vet?”

Jorgo Mandili

Jemi përpara zhvillimesh të rëndësishme kur duket se po fillon të funksionojë demokracia në këtë vend dhe drejtësia po vepron. Disa po ulen në bankën e të akuzuarve dhe të tjerë po përfundojnë prapa hekurave të burgut. Duhet të gëzohemi nga ky fakt, apo të ndiejmë mëshirë për këta që po ndëshkohen? Kjo është çështja.

Para disa ditësh, gazetari Xh. Shehu, në artikullin e tij në DITA “Ethet në pikën e verës”, risolli në kujtesën tonë pesë vjet më pas ngjarjen e korrikut të vitit 2016 kur 140 deputetët e pranishëm në sallë votuan në mënyrë unanime një nga reformat më të rëndësishme në vend, si domosdoshmëri e shoqërisë sonë për shkak të problemeve të mëdha të krijuara gjatë viteve të tranzicionit, probleme që çuan në instalimin e një sistemi drejtësie që me padrejtësitë emblematike të tij i ka shkaktuar një gjëmë të madhe Shqipërisë . Pavarësisht se u votua unanimisht, nuk ishte e vështirë të kuptoje se një pjesë e mirë e deputetëve dhe pushtetarëve votuan pro më shumë nga zori se sa nga dëshira. Sepse kjo reformë do t’u priste degën ku kishin hipur, do t’u priste burimin e të ardhurave të paligjshme që ata kishin vënë në emrin e tyre e të familjeve të tyre vetëm se ishin në politikë dhe sundonin mbi organet e drejtësisë… Sepse ata e dinin për kë binin kambanat!” – thuhej në shkrim.

Dhe për pesë vjet populli ka pritur të “binin këmbanat”. Dhe këmbanat ranë. U dëgjuan sa nga Bashkia e Lushnjës tek Ministria e Brendshme. Por tingujt e kësaj këmbane të SPAKUT- janë kaq të dobët sa mezi u dëgjuan … tinguj të tillë me përgjime për arka peshku e tendera kanalesh kemi dëgjuar edhe nga Drejtësia e vjetër… Këto nuk janë tingujt e një këmbane, që të ngrejë kushtrimin në luftë kundër një “ushtrie” të “fortësh” politikanësh e biznesmenësh, prokurorë e gjykatës, zyrtarë të lartë e të zakonshëm, që kanë “pushtuar” një shtet, një parlament, një qeveri, një shoqëri me të gjitha institucionet e veta dhe ushtron kontroll absolut mbi gjithçka e mbi çdo gjë.

Pikërisht për këta duhet të bien këmbanat dhe urojmë të bien sa më shpejt!

Sepse gangsterët e politikës, pushtetit, drejtësisë administratës, biznesit dhe ata të trafiqeve njerëzorë, drogës e prostitucionit janë banditët më të rrezikshëm, janë halabakët apo leckamanët të bërë politikanë, prokurorë, gjyqtarë, deputetë, ministra, zyrtarë të lartë, biznesmenë, që brenda një kohe të shkurtër u pasuruan në mënyrë marramendëse duke vjedhur, vrarë, mashtruar, korruptuar para publike e para kriminale ,para të pastra nga buxheti e para të pista nga krimi e trafiqe të çdo lloji.

Ujqërit janë përballë dhe SPAKU kërkon gjurmët! Ata livadhisin të lirë e të sigurt në paprekshmërinë e tyre me shtëpi e vila të mëdha, luksoze,  edhe me vc për macet, shtëpi me shumë tokë – ara, livadhe, male, shumëhektarëshe, ndërtesa me shumë banesa të shitura a të dhëna me qira, banesa të ndryshme të blera në disa ndërtesa, që jepen me qira, hotele, motele, restorante, kafeteri, pompa të benzinës, dyqane, klube sportive, në të cilat zyrtarët zakonisht janë aksionerë, miliona euro, dollarë a paunde të depozituara në banka të jashtme me emrat e ndonjërit prej familjarëve a të kujt tjetër më shpesh se në emrin e vet apo, mund të jetë, edhe të huazuara me fajde ose të varrosura në oborret e shtëpive, të kasolleve apo në arat e livadhet afër shtëpisë!

Jo vetëm ata por edhe fëmijtë e tyre “xhamzinj”. Më të rrezikshëm se prindërit e tyre, që qarkullojnë nëpër rrugët, restorantet, hotelet dhe plazhet e Shqipërisë me armë, me leje e pa leje, kërcënojnë e vrasin cilindo që iu ”zë rrugën ” dhe nuk i druhen ligjit as shtetit, duke mos përfillur jo vetëm moralin shoqëror dhe të drejtat e qytetarëve, por as organet shtetërore. Praktikisht ata janë mbi ligjin dhe kundër rendit shoqëror që pretendon se është “demokraci”.

Ajo që nga shumëkush shihet si më idealja për qeverisje në një shtet të së drejtës, për këta gangsterë shihet si mundësi (pa e ditur se ç’është demokracia) e lirisë së tyre për të qenë mbi ligjin e moralin shoqëror, për të bërë ç’ka duan e si të duan. Për t’u pasuruar pa punuar dhe të bërë karrierë përmes shantazhit, krimit, kusarisë, shkeljes së ligjit e shpërdorimit të besimit të qytetarëve… Prandaj dhe i përulen kësaj “demokracie”! Se kjo demokraci ua dha të gjitha çka ëndërruan e dëshiruan!  Kërkuan funksione të rëndësishme të shtetit? Kërkuan të bëheshin deputetë? Kërkuan të bëheshin prokurorë, gjyqtarë, akademikë, profesorë, shkencëtarë? Gjithçka që u shfaqej në ëndërr e ua donte shpirti hedonist e morën. Ua dha kjo “demokraci”. “Dhe kur kusarët dhe mashtruesit ta marrin pushtetin, në mënyrë demokratike, për shkak se kriminelët dhe keqbërësit vuajnë për ta fituar pushtetin, do të pasojë një tirani edhe më e keqe se ajo e kohës së monarkive ose oligarkive“- ka thënë Sokrati 2500 vjet më parë. E, që e përjetojmë ne pas 2500 vjetësh këtë tirani të maskuar, këtë diktaturë të kamufluar të parasë .

Që, krijoi një shoqëri me papjekuri të brendshme, që nuk kupton se cili është realisht interesi i saj, që nuk e ka koshiencën e të drejtave të saj, ku ligji nuk është garant i të drejtave të qytetarëve, ku ka humbur çdo besim tek moraliteti në jetë, në politikë dhe në treg, ku veset shihen si virtyte, ku shpresa duket si një gënjeshtër e padobishme, që po degradon politikisht, ekonomikisht, kulturalisht e moralisht drejt vdekjes së saj të ngadalshme…

Ekzistenca e kësaj kategorie horrash, të “zgjedhur” e të pazgjedhur prej nesh, por që qëndrojnë mbi ne dhe na vjedhin, vrasin, mashtrojnë, nëpërkëmbin, e na trajtojnë si skllevër kudo në miniera, naftë, fasone, ndërtim, bujqësi, arsim, shëndetësi, zyra e institucione të shtetit si prokurori e gjykata, janë pjellë e vetë këtij sistemi që është instaluar me djallëzi e dinakëri në Shqipëri. Ku gangsterët vendas e të huaj bëjnë ligjin, sillen si duan, grabisin pasuritë nëntokësore dhe shfrytëzojnë pa mëshirë shqiptarët në vendin e vet. Nuk paguajnë taksa madje shpesh edhe pagat e punëtorëve, nuk ndëshkohen për aksidentet në punë,ndotin mjedisin pa pikë përgjegjshmërie .

Një vend i tillë ku ekziston një kategori njerëzish të pandëshkueshëm nga ligji dhe ku i keqi, i pandershmi dhe abuzuesi ndihen mbi shumicën e popullit, ku pakica kontrollon shumicën në gjithçka kudo, a mund të quhet demokratik ?

Dhe ata që po ndëshkohen na kërkojnë mëshirë? Si është e mundur?

Një vend, ku të drejtat e qytetarëve nëpërkëmben, ku padrejtësia është endemike, ku shkelësit e ligjit kanë krijuar sistemin e vlerave ireale kudo në drejtësi, në media, në botën akademike, në drejtimin e institucioneve etj, ku nuk ofrohet mundësi punësimi, ku sistemi i edukimit gjeneron mediokritet dhe papunësi dhe është kthyer në një “vrimë të zezë” të vlerave dhe virtyteve qytetare, që deformon dhe zhbën të gjitha zakonet e kombit, që degradon shpirtrat fisnikë dhe bujarë, që zbeh shkëlqimin e dinjitetit, që errëson arsyen dhe zëvendëson nderin më të lartë me neveritjen e përgjithshme, ky vend  a mund të quhet demokratik? Dhe, a është kjo demokracia që duam dhe aspirojmë?

***

Për atë që na sheh me një sy njerëzor asgjë nuk duket më e habitshme se lehtësia me të cilën një shumicë sundohet nga një pakicë dhe nënshtrimi i nënkuptuar me të cilët njerëzit heqin dorë nga jeta e vet nga ndjenjat dhe pasionet e veta të vërteta në favor të atyre që i sundojnë … nëse vrasim mendjen e kërkojmë se si ndodh një tjetërsim i tillë gjejmë se pavarësisht se forca është në anën tonë ne këtë forcë na i marrin sunduesit përmes sistemit të instaluar nga të fortët e politikës dhe parasë dhe manipulimit të opinionit duke fshehur të vërtetën përmes një industrie publicitare që synon shplarjen e trurit

A mundeni ju Drejtësia e Re ta çlironi këtë shumicë të ndershme e punëtore, që krijon të ardhura materiale e paguan gjithçka u kërkohet e në fund të ditës përpiqet të mbijetojë për të nesërmen se e tashmja për të nuk ekziston. Kur shikoni jetën luksokratike e hedoniste të këtyre të fortëve a u shkon në mendje një pyetje e thjeshtë, që e bën edhe njeriu më i paditur që mund të ekzistojë në tokë: Me çfarë e sigurojnë? Me punën e tyre, me rrogat e tyre? Ku i gjejnë të ardhurat? Atëherë a mendoni t’i hetoni e gjykoni ndonjëherë që t’i detyroni ata që të punojnë e pastaj të hanë !

“E, tani nuk duhet të ketë më dyshime. Drejtësia duhet të veprojë. Ftohtësia e prangave në duar duhet t’u futë drithmat gjithkujt që ka bërë padrejtësi dhe akuzohet për korrupsion, për shkelje flagrante të lirive dhe të drejtave të njeriut, për dhunim të demokracisë. Nuk ka nevojë të përsëritet diçka që është lehtësisht e perceptueshme ! ” Populli kërkon arrestime dhe procese të bujshme dhe shumë shpejt, madje nga ju, Drejtësia e Re, që jeni bërë shpresa për të ! MOS I ZHGËNJENI E MOS I LËNDONI SI PARAARDHËSIT TUAJ!

Keqardhje!? Për kë? Për këto ” shushunja” të popullit?  Për të gjithë ata “kanibalë” , që i kanë bërë gjëmën Shqipërisë dhe popullit të vet, gjëmë që nuk do t’ua bënte as armiku më i madh i tyre? Jo! Jo!  Asnjë mëshirë për këta! As për këtë klasë politike! Që instaloi një sistem drejtësie “kanibale”, me prokurorë e gjyqtarë të bindur për t’iu nënshtruar urdhrave për mbrojtjen e krimit dhe pasurisë së tyre të vënë në mënyrë të paligjshme , që veç drejtësi nuk bëri. As për përbindëshin Berisha që vrau ëndrrat dhe idealet për një gjyqësor e prokurori të pavarur qysh në tentativat dhe hapat e parë në vitet 1992 – 1995 e në vazhdim. Që terrorizoi e frikësoi gjyqësorin, persekutoi egërsisht gjyqtarë e prokurorë që nuk iu nënshtruan urdhrave të tij atij, të tillë si Maksim Haxhia,  Zef Brozi e ndonjë tjetër që guxoi… Që ngriti një sistem drejtësie të korruptuar e të pashpirt, një sistem grabitqarësh, pa nder e moral, kusarë dhe vrasës me prokurorë si Llalla e gjyqtarë si Gjingjoni, një sistem gjyqësor që u bë “bunkeri mbrojtës” i PADREJTËSISË! Kësaj padrejtësie, që i mbrojti nga Korrupsioni, kësaj padrejtësie, që i kamufloi nga Kriminalizimi, kësaj padrejtësie, që çoi në Vetëgjyqësi dhe Hakmarrje, kësaj padrejtësie që çoi në mosbesim tek Demokracia dhe në Dëshpërim të qytetarëve, kësaj padrejtësie që çoi në Shpopullim dhe Largim të investitorëve dhe më së fundi çoi në një PABARAZI midis të pasurve dhe të varfërve, ku polarizimi i tejskajshëm midis tyre ka këputur lidhjet e brendshme midis njerëzve duke i “atomizuar” ata drejt një kaosi social, ku ndjenja e kolektivitetit si “premisë e qytetërimit” nuk ekziston. Ekziston vetëm “institucioni i mëshirës e bamirësisë” si fasadë “e ndihmës për të varfërit”, që në fakt është poshtërim e nëpërkëmbje e të varfërve dhe hipokrizi e të pasurve dhe e të “fortëve”, e atyre që janë “arkitektët” e këtij mjerimi migjenian. Hipokrit, i pështirë e antinjerëzor! I shfrytëzojnë, u pinë “gjakun”, i skllavërojnë dhe pastaj i poshtërojnë. Për “shoë” televiziv u japin nga një “kockë në formën e ndihmës”, që në thelb ato janë paratë e fituara nga shfrytëzimi i tyre ..

ASNJË MËSHIRË!

Për atë  çetë plepistash , – fshatarë të pagdhendur e mbeturina qytetarësh të sistemit të kaluar ,që u katapultuan si gjyqtarë e prokurorë. Krejtësisht të paaftë e për rrjedhojë, servila, të frikësuar,të përdorshëm me lehtësi, që vendimet i merrnin sa hap e mbyll sytë, me po atë lehtësi që nxirrnin “qurrat prej hunde dhe pastaj i fshinin në prapanicat e tyre”…

Për atë çetë plepistash,që kanë “vrarë” vetëm me një të rënë të çekiçit – sa njerëz për pronat? … me mijëra! Sa individë për gjakmarrje duke i hapur rrugë vetëgjyqësisë? …me qindra!.Sa kriminelë, vjedhës, përdhunues të liruar ? …me dhjetra ! Sa shpirtëra të plagosur duke mos u dhënë drejtësi? …nuk gjej fjalë ta shpreh!  Veç do ju kujtoj Dosjet e gjalla që i keni përpara ,që janë mbyllur nga prokurorët e gjyqtarët kundrejt parave dhe politikës: masakrën e Gërdecit; kush u dënua? Sa u dënuan? Asnjë! Po për piramidat, 14 shtatorin, vrasjen e Azem Hajdarit ? Asnjë! Miliardat e “Rrugës së Kombit”, të mbyllur me “raporte mjekësore” për Lul Bashën apo “fitorja” 5:0 ndaj drejtësisë përkundrejt aferës korruptive të Ilir Metës me zë e figurë, që çoi në tragjedinë e 21 janarit ., Kush u dënua për këtë tragjedi? Asnjë ,përkundrazi ! U fshehën prova,u akuzua prokuroria,ish presidenti ,madje u ” linçuan” si ” lavire bulevardi” e ” horr bulevardi” dhe për këto cilësi e absurde , Saliu u shpall “burrë shteti” nga ndonjë. Dosja “Fullani” ku përfundoi? I pafajshëm me procedurë dhe ndërkaq edhe u shpërblye me miliona për dëmin moral që iu shkaktua.Kush i pagoi këto para ,që jepen pa ” doganë” si mall badihava? Që djali i Fullanit dhe të gjithë bijtë e bijat e Fullanërve , Ilirëve , Salirëve , Llallajve, Gjingjonëve etj të fshijnë menderet me ” 500€” ? Publikisht e njëkohësisht t’i bëjnë karshillëk njerëzve të varfër të këtij populli me jetën e tyre luksoze ” dubajane” apo ” majorkiane”. Dosja e Ushtrisë që janë gllabëruar mbi 130 miliard dollarë nga gangsterët e politikës,krimit ,pushtetit e vetë ushtrisë… a do të hapet ndonjëherë?

Po sa mijëra dosje të tjera ” flenë “në bodrumet e “bunkerit” të drejtësisë ,që kërkojnë drejtësi? Nuk thonë kot :”drejtësi e vonuar ,drejtësi e mohuar apo e munguar”! Vetëm ky fakt tregon për një padrejtësi, ndoshta unikale në llojin e vet.

Asnjë sistem kontrolli mbi vendimet e marra. Sistemi ishte ndërtuar në mënyrë të atillë që qarku të mbyllej në Presidencë, ku presidenti si kryetar i KLD me shpurën e tij vetë propozonte, vetë miratonte dhe po vetë dekretonte. Vetëm në presidencën e “Nishanziut” janë emëruar 170 prokurorë e gjyqtarë. (se sa edhe në të tjerët nuk dihet ). Ata u bënë “gjykatës perëndie”, kur në fakt na dolën kanibalë drejtësie e m… me vulë. Këtë tregoi procesi i vetingut, i cili i nxori “lakuriq” para popullit , jo vetëm të korruptuar por edhe injorantë.

Edhe kjo është një Dosje për ish kolegët tuaj të votuar e të përjashtuar, kryesisht për makutërinë e tyre që nuk ka njohur kufi! Me paratë e gjakun e të pambrojturve këta fshatarë të pagdhendur, të fryrë si kacek nga jashtë e bosh nga brenda, arritën për një kohë të shkurtër të bënin pasuri përrallore duke ndërtuar luksokracinë e tyre, në garë me njëri-tjetrin dhe me vetë politikanët. Ja tek i keni përballë. Hidhni vetëm një sy: Me vila, apartamente luksoze makina klasi, udhëtime e pushime sheikësh, studime të fëmijve jashtë, llogari bankare edhe për fëmijtë, të veshur e parfumosur firmato, me të tëra salltanetet, orë e unaza floriri, syze e kostume, këpucë e të brendshme, të gjitha firmato. Me gjithë kuptimin e fjalës persona që nga jashtë shkëlqejnë shumë, por nga brenda m… me vulë. Si mundën ta bënin gjithë këtë pasuri, me rrogat dhe për një kohë të shkurtër pa bekimin e politikës, “Llallët e Gjingjonët” ? Vetë e kanë përgatitur Dosjen korruptive! Ju vetëm veproni dhe jo burg. Mos e rëndoni popullin!Sekuestrojuni të gjithë pasurinë e pajustifikuar dhe pastaj le ta gjejnë bukën e gojës si këta edhe të tjerët si këta në koshin e plehrave .Se e meritojnë ! E pamë këtë shpurë sharlatanësh të padrejtësisë kur u vetuan .U bindëm  se çfarë monstrash na bënin drejtësi – padrejtësi. Të pështirë, qarramanë të paburra, të pshurrur, se të tillë formim kishin. Vulgarë, të pakulturuar, arrogantë, gojëndyrë, imoralë, mendërisht impotentë. Intelektualisht në “menopauzë” , gjenetikisht të paaftë për t’u bërë dikush. Askush! Grabitqarë e Kanibalë të drejtësisë! Kusarinë e ngritën në sistem. Padrejtësia ishte lajtmotivi më makabër i tyre. Misioni i tyre nuk ishte gjykimi, drejtësia, por padrejtësia, paraja!Abuzonin me ligjet, shpërdoronin me detyrën! ” Gjyqtarë perëndie”! I vetmi ligj për ta ishte Ligji i të ” fortit”! I krijoi të ” fortët”, kurse drejtësia i mbrojti! Duke shkelur kushtetutën, ligjet dhe besimin e popullit.

A mund të kesh mëshirë për ta?

Korrupsioni publik duhet të jetë një përparësi e lartë hetimore, sepse shkatërron besimin e publikut dhe minon sundimin e ligjit.

A nuk meritojmë ne më të mirën, për të patur qeverinë e ndershme që meritojmë?

(Vijon)

 

 

Shiko dhe këto

PJESA II: Roli i Ramizit në varjen e Havzi Nelës dhe vrasjen e 300 të rinjve në kufi. KALO: Nëse derdhej gjak, do ishte i bllokmenëve, ndoshta edhe i imi

  Nga Isuf Kalo Botuar sot në DITA  Situata në të cilën ndodhej Ramizi pas …