Shtëpia / Aktualitet / Mbyllen negociatat për Reformën Zgjedhore, drafti përfundimtar shkon në Kuvend

Mbyllen negociatat për Reformën Zgjedhore, drafti përfundimtar shkon në Kuvend

Bashkëkryetari i reformës zgjedhore dhe anëtari i maxhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i ka përcjellë Kuvendit draftin final për reformën zgjedhore. Negociatat politike janë mbyllur mbrëmë me disa ndryshime në amendamente.

Amendamenet janë ndryshuar në lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së dhe listën e deputetëve. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor vijnë pas arritjes së dakordësisë me opozitën.

Po ashtu është përcaktuar mënyra sesi do të mundësohet vota e emigrantëve.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 1009, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Repubikës së Shqipërisë” përbën ndërhyrjen legjislative në ligjin zgjedhor me synim plotësimin dhe zbatimin e kushteve të dakortësuara në marrveshjen politike të datës 5 qershor 2020, të nënshkruar ndërmjet mazhorancës qeverisëse dhe partive politike të opozitës jashtëparlamentare dhe asaj parlamentare.

“Një ligj zgjedhor, sado i arrirë në përmbajtjen e vet, nuk mund të realizojë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare në rast se mungon gatishmëria dhe vullneti politik i aktorëve pjesëmarrës në garë për një gjë të tillë. Po ashtu, edhe në rast se arrihet një vullnet i plotë politik nuk do të mund të realizohen zgjedhje sipas standardeve në rast se mungon një bazë ligjore koherente, e plotë dhe e saktë për organizimin e procesit elektoral në vend.
Projektligji që po paraqitet për shqyrtim dhe miratim mundëson dakordësinë politike të palëve për rregullat e lojës në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore të radhës, duke garatuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë aktorëve të jetës politike në Shqipëri”, shkruhet në relacion.

Më tej shtohet:

“Nga ana tjetër, ky konsensus ngrihet me propozime për përmirësime mbi një Kod Zgjedhor ekzistues, i cili është certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë të specializuar në fushën e zgjedhjeve si Kod që respekton praktikat demokratike dhe legjislacionin ndërkombëtar të zgjedhjeve. Gjithsesi, në një sërë zgjedhjesh në Shqipëri janë paraqitur rekomandime për çështje dhe aspekte të veçanta që kanë nevojë për amendime dhe të cilat janë vendosur në planin e punës së Këshillit Politik, dhe të gjithë institucioneve të tjera vendimmarrëse në Shqipëri. Projektligji i paraqitur për shqyrtim dhe miratim përbën vetëm fazën e parë të procesit të dakordësuar me anëtarëve të Këshillit Politik për reformimin e bazës ligjore për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Projektligji i depozituar ka si premisë kryesore të tij realizimin e atyre ndërhyrjeve emergjente në Kodin Zgjedhor që realizojnë/refletojnë dakordësinë më të gjerë politike dhe mundësojnë besimin politik tek dy proceset zgjedhore të radhës, që do të zhvillohen me këtë bazë ligjore të ndryshuar. Palët politike pjesëmarrëse në Këshillin Politik kanë rënë dakord për të vijuar edhe fazën e dytë të reformimit të legjislacionit zgjedhor dhe ligjeve të tjera të lidhura me të, duke përcaktuar edhe modalitetet e realizimit të një detyrë të tillë. Për këtë gjë është rënë dakort që puna, mbi bazën e konseusit më të gjerë të spektrit politik në vend, të vijojë me hartimin e një ligji të ri zgjedhor, që do të reflektojë plotësisht rekomandimet e dhëna ndër vite nga OSCE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. Ky proces do të plotësohet edhe nga nisma të tjera legjislative që janë po aq të nevojshme në Shqipëri si psh ligji i ri “Për partitë politike” dhe ligji i ri “Për financimin dhe kontrollin e financimit të partive politike”.

 

Shiko dhe këto

Sherr me thika mes të rinjve në Bulqizë, i plagosuri rëndë transportohet me helikopter drejt Tiranës (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Bulqizës. Një sherr …