Shtëpia / Aktualitet / KE harton kornizën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, çfarë parashikon

KE harton kornizën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, çfarë parashikon

Komisioni Europian i paraqiti Këshillit draftin e kornizës së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar udhëzimet dhe kriteret për bisedimet e tyre të pranimit.

Komisioni ishte i ftuar t’i paraqiste këto propozime marsin e këtij viti kur Këshilli i çështjeve të Përgjithshme mori vendimin e hapjes së bisedimeve me të dyja vendet. Komisioneri i Zgjerimit Olivér Várhelyi e përcolli lajmin në Twitter duke e komentuar si një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian.

“Duke i qëndruar angazhimit tonë, ne po paraqesim udhëzime konkrete për zhvillimin e negociatave të pranimit”, ka shkruar ai.

Duke treguar dhe një herë se propozimet bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, e cila u paraqit në muajin shkurt, ai nënvizon se e ardhmja e të dy shteteve është padyshim në BE.

Korniza e negociatave përcakton udhëzimet dhe parimet në bisedimet e anëtarësimit me secilin vend kandidat. Drafti ndahet në tre pjesë: 1) parimet që rregullojnë negociatat e pranimit, 2) përmbajtja e negociatave dhe 3) procedura e negociatave.

Objektivi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të adoptojnë në tërësi legjislacionin e BE-së dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të tij pas pranimit.

Drafti bazohet në përvojën e zgjerimeve të kaluara dhe negociatat në vazhdim të pranimit. Këto korniza integrojnë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, marrin në konsideratë legjislacionin evropian në zhvillim dhe pasqyrojnë siç duhet meritat e vetë vendeve dhe situatat specifike. Besueshmëria forcohet përmes një përqendrimi edhe më të madh tek reformat themelore, duke filluar me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratën publike, si dhe ekonominë e të dy vendeve.

Propozimet parashikojnë gjithashtu një udhëheqje më të fortë politike të procesit, dhe më shumë dinamizëm duke organizuar kapitujt negociues në grupimet tematike. Cilat do të jenë hapat e ardhshëm? Kur vendet anëtare të kenë miratuar kornizat e bisedimeve, presidenca e rradhës e Këshillit të Bashkimit Europian do të paraqesë pozicionin e përgjithshëm të BE-së në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, duke shënuar kështu fillimin zyrtar të negociatave të pranimit. Kornizat e bisedimeve do të bëhen publike në këtë faze.

Shiko dhe këto

Ekzekutimi i Ramazanit dhe Runajt/ Policia zbardh vrasjet që tronditën Elbasanin: Kemi arrestuar 2 autorët

Zbardhen vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj ne Elbasan, miq mes tyre. Ata janë …