Shtëpia / Editorial / Pafuqia politike e Vuҫiҫ për Kosovën pas fitores së madhe në zgjedhje

Pafuqia politike e Vuҫiҫ për Kosovën pas fitores së madhe në zgjedhje

Aleksandër Vuҫiҫ ka arritur të marrë në dorën e tij, i vetëm, të gjitha pushtetet më të rëndësishme të vendit: Presidentin, Parlamentin, qeverinë, por edhe pushtetin vendor.

Opozita serbe, e cila është shumë ngjyrëshe, e cila nis nga europeistët deri tek konservatorët nacionalistë filo-rusë bojkotoi zgjedhjet, duke i vendosur vendit që ka hapur negociatat me BE-në. një handikap jo të vogël, që megjithatë nuk se ka mërzitur shumë zyrtarët e Brukselit.

Në zgjedhjet e djeshme kanë dalë zyrtarisht afro 45% të zgjedhësve me të drejtë vote, që do të thotë mjaft më pak se gjysma.

Megjithatë si rezultat i përgjithshëm partia e Vuҫiҫ ka marrë 189 deputetë, nga 250 që ka parlamenti serb.

Që do të thotë, ka një mundësi të madhe që të qeverisë i vetëm, pa socialistët e Ivica Daҫiҫit.

Kush e njeh politikën serbe, Daҫiҫ, është jo thjesht një ҫengel politik i klaneve të Sllobodan Milosheviҫit, por është njeriu që Moska zyrtare e ka vendosur me “detyrim- përcaktim si shef i diplomacisë serbe.

Para 2014-s, kur Nikoliҫ ishte President, Daҫiҫ madje ishte kryeministër i Serbisë, por më pas qëndroi si numri dy, si ekuilibër i votave të papërmbushura të mazhorancës së SNS-së së Vuҫiҫit.

Por në të gjithë këtë mandat, pra që nga viti 2016, ku kryeministre është Ana Brnabiҫ, pa një autoritet për të ndikuar tek pasuesi i Sllobodan Millosheviҫit, Daҫiҫ ka qenë i plotfuqishëm realisht edhe pse nuk ka qenë i nevojshëm politikisht në Parlament.

Sot Aleksandër Vuҫiҫ nuk ka nevojë fare për njeriun e Rusisë në qeverinë e tij, pasi ka 189 deputetë, pra një mazhorancë që mund të miratojë ҫdo ndryshim Kushtetues.

I tillë është edhe ҫështja e Kosovës që është në preambulën e Kushtetutës së Serbisë.

Politikisht në Parlament, Vuҫiҫ nuk ka më alibi, pasi e ka mundësinë që të miratojë atë që pret SHBA: të njohë shtetin e pavarur të Kosovës, duke e hequr nga Kushtetita e Serbisë.

Por, edhe pse i ka votat për ta bërë një gjë të tillë, Vuҫiҫ, nuk ka bërë asnjë përpjekje për të nisur një dialog kombëtar për Kosovën, kryesisht me opozitën liberale serbe, të Boris Tadiҫit, apo edhe Vuk Jeremiҫit.

Ai sot ka fituar zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës, ҫka duket si një “kalë troje”, për ta përdorur si alibi se nuk mund të veprojë pasi “opozita mund të djegë vendin”.

Dhe opozita normalisht mund ta shfrytëzojë Kosovën për të rritur pikë në klasifikimin e saj në opinionin publik.

Por pikërisht në kohën kur Vuҫiҫ të jetë në zgripin e sulmeve, mund të kthehet në një “nacionalist” ekstrem siҫ dhe ka qenë në shumicën e kohës, duke e përdorur patriotizmin si “strehën e fundit…” nëse do të vendoset në qoshe, e gjasat janë, pasi ai sot ka mbi gjysmën e elektroratit që nuk e ka votuar.

Nejse kjo është një shifër që mund të luhet, pasi zakonisht në Serbi votojnë 50-53% e atyre që janë në lista. Siҫ ndodh tek ne ku gjysma janë emigrantë jashtë vendit.

Por gjithsesi, pushteti që Vuҫiҫ ka marrë nga zgjedhjet e 21 qershorit është shumë i brishtë, aq sa mund të shkërmoqet edhe nga një marrëveshje për “reformën zgjedhore” me opozitën serbe, ҫka mund ta lërë në hije ҫështjen e Kosovës.

Siҫ ndodhi në vitin 1997 apo në 2000, kur pikërisht pas ҫlirimit të Kosovës prej Serbisë, nisi lëvizja demokratike serbe për rrëzimin e Sllobos, e që në krye të vendit sollën Vojisllav Koshtunicën, që politikisht nuk kishte asnjë ndryshim me Milosheviҫin…

GazetaShqip

Shiko dhe këto

Anatomia e katastrofës së samitit të Kosovës

Marsin e këtij viti, administrata Trump organizoi me sukses rrëzimin e një qeverie miqësore në …