Shtëpia / Editorial / Antishpifja, a duhet një ligj që ndal masakrën ndaj fjalës së lirë?!

Antishpifja, a duhet një ligj që ndal masakrën ndaj fjalës së lirë?!

Me rrëzimin e komunizmit, Shqipëria nuk pati institucione që do të rregullonin veprimin e medias së lirë dhe me opinione të ndryshme.

Pa asnjë ligj apo ndihmë nga institucionet, mediat shqiptare private, në atë kohë përgjithësisht nisma gazetarësh dhe botuesish-gazetarë vendosën të praktikonin disa mënyra vetërregullimi, ku kishte disa korniza që respektoheshin në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Fjala vjen, nëse një gazetë publikonte një opinion që i binte ndesh dikujt, atëherë ishte një rregull i pashkruar, por i zbatuar gjithmonë, që të botohej në të njëjtën hapësirë dhe formë, përgjigja e personit të prekur.

Gazetat kishin një linjë direkte me lexuesin nëpërmjet postës, ku shqyrtohej përgjithësisht lidhja me publikun, që gazetarët i kishin edhe si burim apo indicie të investigimeve.

Ky rregull u përdor më pas edhe nga televizionet, ku baza e gjithë rregullimit të medias ishte profesionalizmi i pranueshëm, nëpërmjet raportimit korrekt, të balancuar.

Por me daljen e mediave online në vend, shpërtheu një valangë e madhe shkrimesh apo njoftimesh ku u prishën disa rregulla bazë që krijuan traditë tek ne.

Siҫ ishin raportimi, etika, mos përdorimi i një gjuhe agresive, respektimi i të drejtës së autorit etj.

Pa asnjë skrupuj merren shkrime, bëhen copy paste, edhe kur janë autor, pra që përgatiten nga gazetari-prodhim, duke dëmtuar punën e tjetrit, por edhe përdoren njoftime, raportime që shkelin të drejtat e fëmijëve, të drejtat e grave, dhunohen edhe njëherë viktimat, duke i përgojuar nëpërmjet gjysmë gënjeshtrave etj. Ndërkaq, nuk ka munguar praktikimi i rregullt i lajmit të rremë, apo shpifjes.

Drejtësia shqiptare nuk ka traditë fare, apo ka një traditë të keqe të trajtimit nëpërmjet dhomës civile, të problemeve që lindin në këtë fushë, por tani ky institucion ndodhet i paralizuar edhe si pasojë e ristrukturimit.

Megjithatë, qeveria e përdori këtë defekt të pushtetit të katërt në vend për të bërë një ligj të keq, i cili merret kryesisht me faktorët e ndjekjes dhe e dënimit të fajtorëve, por jo duke e trajtuar në thelb.

AMA, një institucion që ka një traditë për rregullimin e medias audiovizive, u caktua që të ndjekë edhe shpifjen në median online. Kjo shkaktoi një zinxhir kundërshtimesh e protestash, deri edhe të organizatave ndërkombëtare të Medias.

Komisioni i Venecias, dërgoi një sërë rekomandimesh për të zgjidhur këtë ҫështje, por që kërkoi që të mos lejohet pa u trajtuar ndalimi i shpifjeve dhe mungesës së skrupujve nga portalet në vend.

Komisioni i Venecias ka kërkuar që AMA të funksionojë si një organ i pavarur dh eta trajtojë këtë ҫështje jo në mënyrë “policore” por ligjore dhe profesionale.

Komisioni rekomandon të bëhet një nivel gjobash i arsyeshëm dhe të trajtohet profesionalisht dhe të mos trajtohen si media blogerët personalë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend të enjten se mazhoranca do të trajtojë rekomandimet për t’i kthyer në ligj, por realisht nuk mund të bëhet një ligj për një fushë, pa të pyetur apo diskutuar mbi ata që operojnë në këtë lëmi, aq më shumë kur bëhet fjalë për një “pushtet” siҫ është media. Por atë realen, atë që ka kontribuar me vite në Shqipëri, duke qenë në një nivel ndërgjegjësimi më të lartë sesa politika, pasi ka pasur publikun, shikuesin apo lexuesin si referim.

Një media është publike jo vetëm kur është shtetërore, madje në Shqipëri është e kundërta, media private si për shembull Top Channel e të tjerë, janë kthyer në referenca morale e frymëzim shoqëror pasi kanë respektuar ekzigjencat e njerëzve.

Nuk mund të bashkohen bashkë uji i pastër me të pistin, rëndësi ka që të ndalohet kjo kulturë e frikshme mungesë skrupujsh që po e vret raportimin apo edhe opinionin e lirë mediatik në Shqipëri.

Shiko dhe këto

Anatomia e katastrofës së samitit të Kosovës

Marsin e këtij viti, administrata Trump organizoi me sukses rrëzimin e një qeverie miqësore në …