Shtëpia / Editorial / Arben Ahmetaj, ministri part-time i tërmetit me mendjen te karrigia e Denajt

Arben Ahmetaj, ministri part-time i tërmetit me mendjen te karrigia e Denajt

Në një media që prej kohësh është pasqyra politike e opozitës, është paraqitur  Arben Ahmetaj, ministri i Rindërtimit i qeverisë së Edi Ramës, duke sjellë sërish në diskutim një luftë të brendshme që po zhvillohet në kupolën e lartë të mazhorancës.

Dhe Ahmetaj, ka shfrytëzuar lidhjet e tij që siҫ duket nuk janë të vogla me këto segmente të opozitës për t’u lanҫuar si “zemra” financiare e Rilindjes.

Pikërisht në zemrën e pushtetit mediatik të opozitës, Arben Ahmetaj ka rilanҫuar përplasjen e tij në qeverinë e Edi Ramës, përkatësisht me ministren e Financave Anila Denaj, për të dalë në pah si “njeriu i eurbondit” apo shpëtimtari i fondeve të rindërtimit.

Ka bërë përshtypje, që një media opozitare si Syri, ka pasur rastin mbrëmë që ta shfrytëzojë praninë e Arben Ahmetajt, për të dhënë përgjigje e të gjithë akuzave që vetë opozita ka nxjerrë ndaj njeriut që ka pasur financat e shtetit për 5 vite e më pas u lagua, pikërisht se nuk realizoi të ardhurat e pritshme për buxhetin.

Por ҫ’ndodhi? Në një media opozitare, me analistë që dukeshin si miq të ministrit, u llastua një anëtar qeverie, që më së paku do të duhet të jepte llogari për atë që s’ka bërë dhe të tregonte konkretisht se kur do të kryejë angazhimet e mara.

Por nuk ndodhi kështu. Arben Ahmetaj foli mbrëmë për suksesin e eurobondit, kur në fakt, asnjë pjesë e operacionit të emetimit të tij nuk ka pasur firmën e Arben Ahmetajt.

Nëse ai do të fliste si analist apo ekspert financiar, këtë duhet ta bëjë nëse largohet nga detyra që mban. Rindërtimi i shtëpive të rrëzuar nga tërmetit, është jo thjesht sfida, por përshkrimi i punës së Arben Ahmetajt.

Sot ne jemi shtatë muaj pas tërmetit të 26 nëntorit dhe rreth 5 muaj pas Konferencës së Donatorëve kur Shqipëria mori fondet e rindërtimit.

Por aktualisht nuk kemi as një kantier të vërtetë ndërtimi në zonat e katastrofës së 26 nëntorit.

Njerëzit jetojnë me qira, ku pjesën më të madhe të parave e sigurojnë vetë, pasi fondi i bashkisë nuk i mbulon as 50% të shumës, kurse një pjesë e rëndësishme, kryesisht në zona rurale vijojnë të jetojnë në ҫadra.

Asnjë fjalë nga Arben Ahmetaj për njerëzit që jetojnë në ҫadra, asnjë përgjegjësi nga ai të paktën që të njohë gjendjen e këtij kontigjenti.

Deri tani janë bërë shumë premtime për ndërtimin brenda vitit që jemi të shtëpive apo banesave që personave që u dëmtuan nga tërmeti. Jemi në pjesën e dytë të këtij viti, pra që kanë kaluar më shumë se 7 muaj dhe asnjë kantier nuk ka nisur nga puna, ka vetëm premtime.

Le t’i marrim me radhë: Thumana, Laҫi, Durrësi, Shijaku, plus ndërtesat e shkatërruara në zona të tjera si Tiranë etj.

Asnjë kantier ndërtimi nuk është nisur si kompleks, dhe nuk ka asnjë afat se kur të pastrehët  që u bënë të tillë nga tërmeti do të futen në shtëpitë e tyre.

Ka premtime madje në 3 D për shkolla infrastrukturë e shumë gjëra të tjera, që janë të rëndësishme, por në fakt janë dytësore krahasuar me thelbin: njerëzit nuk kanë një ҫati ku të futen.

Përse ministri i Rindërtimit, nuk mendon ҫdo ditë dhe planifikon pikërisht këtë  që e ka detyrë, por merret me eurobondin dhe tatimet?

Duket se Ahmetajn, detyrën e tij si ministër i Rindërtimit e ka marrë si part-time dhe jo si sfidë që po i bën shtëpitë e shkatërruara, ose ai në politikë duhet të pranojë dështimin.

Një aparatҫik komunist si Muho Asllani, në vitin 1979 pas tërmetit të tmerrshëm në Shkodër, ndërtoi shtëpitë e Bahҫallëkut dhe Dajҫit për 3 muaj, madje më të mira se ҫ’ishin.

Ahmetaj nuk ka vendosur as themelet, kur po afrohet viti, duke mos nisur asnjë kantier ndërtimi dhe vetëm shëtit nëpër gërmadhat dhe rrënojat e pallateve dhe banesave të shembura, që janë kthyer në një problem për banorët e zonës, pasi tashmë qytetet si Shijaku i ngjajnë sikur është shkatërruar nga ndonjë bombardim ajror.

“Tigrit” të PS-së, siç i pëlqen ta thërrasin, nuk merret me punët që i takojnë, por shqetësohet për fatet e ekonomisë dhe rritjen e borxhit me anë të Eurobondit.

Ahmetaj vazhdon me gënjeshtrat e tij dhe mashtrimet madje dhe publike. Kujtojmë këtu dhe faktin e denoncimit të PD-së me video ku i premtonte kryeministrit Rama se brenda 6 ditëve do të pastronte zonën nga inertet e krijuara në Thumanë, por se kaluan një muaj dhe ato nuk u zhvendosën.

Mashtrimet lidhen dhe me dy paketat financiare që qeveria ka akorduar, ku sipas Ahmetajt kapnin vlerën e 5.41% të GDP.Në një kohë që paketa e parë financiare është sa 1.4% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe këtë e vërteton edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën, ku i akordoi qeverisë shqiptare kredinë prej 174 milionë euro.

Shiko dhe këto

Anatomia e katastrofës së samitit të Kosovës

Marsin e këtij viti, administrata Trump organizoi me sukses rrëzimin e një qeverie miqësore në …