Shtëpia / Aktualitet / “Vettingu nuk është hakmarrje”/ Në Kosovë do të kopjojnë “modelin shqiptar”

“Vettingu nuk është hakmarrje”/ Në Kosovë do të kopjojnë “modelin shqiptar”

Vettingu në sistemin e drejtësisë po shihet të jetë i pashmangshëm që të ndodhë në Kosovë. Ky proces po konsiderohet si i domosdoshëm dhe esencial për pastrimin e tërë sistemit të drejtësisë dhe “ç’kapjen e shtetit”. Ndërkaq, ekspertët e angazhuar nga Qeveria Kurti për draftimin e skenarëve për procesin e vetingut do të japin propozimet e para në muajin qershor.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë për KosovaPress, se vettingu nuk do të jetë hakmarrje ndaj askujt. Derisa u shpreh se vettingu nuk duhet t’iu pengojë gjyqtarëve dhe as prokurorëve sepse është interes nacional.

“Në fund të qershorit vetëm na sjellin një draft të parë sa i përket çështjes së vettingut. Ky është një proces i rëndësishëm…procesi i vettingut nuk është hakmarrje për askënd, i njëjti ka për qëllim të kthej besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. I njëjti do të fokusohet të paktën në tri elemente. Një integriteti moral, gjithë ne zyrtarët publikë, përfshirë këtu edhe gjyqtarët dhe prokurorët e kanë obligim që gjatë punës së tyre të kenë integritet moral. Po ashtu, profesional dhe verifikim të pasurisë së tyre. Prandaj nuk e di se pse disa në sistem po iu pengon dikujt, sepse është interes nacional”, thotë Haxhiu.

Ndërsa, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj thotë se procesi i vetingut duhet të jetë në çfarëdo qeverie, derisa shton se mënyra më e mirë për të luftuar ç‘kapjen e shtetit është vettingu.

“Mënyra më e mirë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin për të bërë ç’kapjen e shtetit është përmes një procesi të Vetingut që duhet të përfshijë gjyqtarë, prokurorë, polici…Çdo shmangie nga kjo qoftë nga koalicioni që po synon të formojë qeverinë apo kushdo qoftë t’i shmanget kësaj rruge, atëherë vepron në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe parimet për të pasur një shtet ku sundon ligji”, thotë ai.

Në favor të inicimit të procesit të vetingut u shpreh edhe njohësi i sistemit të drejtësisë, Rasim Aliaj. Ai thotë se pastrimi i sistemit të drejtësisë është esencial për Kosovën.

“Është i domosdoshëm dhe esencial për krijimin ose pastrimin e sistemit të drejtësisë duke i përfshirë gjykatat, prokurorinë dhe gjithë sistemin e drejtësisë. Pra jo vetëm që është i nevojshëm, por edhe i mirëseardhur edhe i duhur”, thotë ai.

Në fillim të qeverisë në detyrë të kryeministrit, Albin Kurti është themeluar grupi i ekspertëve për t’i dhënë propozimet e tyre për vetingun në sistemin e drejtësisë. Mandati i tyre për shkak të pandemisë Coivd 19 është shtyrë edhe për një muaj.

 

Shiko dhe këto

Sherr me thika mes të rinjve në Bulqizë, i plagosuri rëndë transportohet me helikopter drejt Tiranës (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Bulqizës. Një sherr …