Shtëpia / Editorial / Koronavirusi: Si të punoni nga shtëpia, ashtu siç duhet

Koronavirusi: Si të punoni nga shtëpia, ashtu siç duhet

Google, Microsoft, Twitter, Hitachi, Apple, Amazon, Chevron, Salesforce, Spotify. Nga Britania e Madhe në SH.B.A., nga Japonia në Korenë e Jugut, këto janë të gjitha kompani globale që ditët e fundit e kanë kthyer në politikë të detyrueshme punën nga shtëpia, mes përhapjes pa fre të Covid-19. Dhe është realiste të supozohet se kalimi në “zyrën e shtëpisë” do të kthehet, të paktën për një farë kohe, në diçka normale për shumë prej nesh, duke marrë parasysh edhe njoftimin zyrtar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që i dha zyrtarisht koronavirusit statusin e  “pandemisë”. Disa do të punojnë nga shtëpia për herë të parë, që do të thotë se duhet të gjejnë mënyrën sesi të qëndrojnë të fokusuar në një mjedis të ri që mund të mos “burojë” produktivitet. Megjithatë, ka  mënyra për të dhënë rezultate dhe për të shmangur “ mpirjen e trurit”, e ato nisin që nga përcaktimi i një hapësire sa më të mirë pune e deri tek mënyra sesi të bisedoni me ekipin tuaj.

Krijoni komunikimin

Koronavirus ose jo, çelësi për të punuar nga shtëpia është komunikimi i vazhdueshëm me shefin tuaj – dhe të dini saktësisht se çfarë pritet nga ju. “Duhet të jenë të qarta pritshmëritë për komunikimin ditë pas dite,” thotë Barbara Larson, profesoreshë e menaxhimit në Universitetin Verilindor në Boston, i cili studion punë në distancë. “Pyesni (menaxherin tuaj) nëse ata ( drejtuesit) nuk e kanë problem një bisedë telefonike 10-minutëshe për të filluar dhe mbyllur ditën. Shpesh herë, menaxherët thjesht nuk kanë menduar për këtë”.

Shumica e njerëzve e kalojnë ditën shumë pranë shefit të tyre, që do të thotë se komunikimi është i lehtë dhe pa pengesa.  Por këtu është i gjithë problemi me punën në distancë: prishet komunikimi. Mbase shefi juaj nuk është mësuar t`i drejtojë njerëzit nga larg, ose kompania juaj mund të mos jetë e përgatitur për punën në shtëpi me mjete sic është aplikacioni I bisedës, Slack apo ai i konferencave, Zoom.

Por edhe për ata që janë mësuar, puna në distancë nuk është dhe kaq e lehtë: ata mund të ndihen të paorientuar dhe të izoluar. Vitin që shkoi, një studim i realizuar mbi 2.500 punonjësve nga shtëpia  prej agjensisë Buffer, zbuloi se vetmia ishte sfida e dytë më e raportuar nga këta lloj punonjësish. Ajo mund t’i bëjë njerëzit të ndjehen më pak të motivuar dhe më pak produktive.  Kështu që kur komunikoni me shefin dhe ekipin tuaj nga shtëpia, kjo ndihmon sidomos nëse komunikimi bëhet më i “më i pasur” për shembull me thirrje në Skype.

“Trajtojeni si një punë të vërtetë”

Ekspertët kanë një këshillë që i ka rezistuar kohës. Për shembull, vetëm fakti që mund të vini vërdallë me pizhama, nuk do të thotë se mund ta bëni vërtet. “Bëni dush dhe vishuni. Trajtojeni si një punë të vërtetë”, thonë ata. Nëse nuk keni një zyrë në shtëpi, bëni sa më shumë që të mundeni për të krijuar një hapësirë ​​ad hoc, duke “imituar” një ambient pune.  “Mungesa e një hapësire të mirëpajisur në shtëpi që t`i ngjasojë një zyre, mund të sjellë tek njerëzit që punojnë nga shtëpia një ulje të përkohshme të produktivitetit”, thotë Sara Sutton, CEO dhe themeluese e FlexJobs. Ajo këmbëngul se në vend që të shtriheni në shtrat me një laptop, provoni diçka më movituese. Këshilla do të ishte për një cep larg gjërave që ju tërheqin vëmendjen, ku të uleni me karrige përpara kompjuterit, duke simuluar kështu vendin e punës. Është e rëndësishme po kështu të krijoni barriera me njerëzit që keni në shtëpi, si për shembull : “ Kur mbyll derën, ju zëreni se nuk jam në shtëpi, sepse kam për të punuar”! Me një hapësirë ​​pune të përcaktuar ku mund të përqendroheni, edhe vetë puna në distancë bëhet më e lehtë.  Në një studim të realizuar vitin e kaluar nga FlexJobs mbi 7.000 persona që punonin nga shtëpia, 65% thanë se janë më produktivë kur punojnë nga shtëpia duke përmendur këtu përfitime nga fakti që kanë më pak ndërprerje nga kolegët, politika minimale të zyrës teksa ulet stresi i rrugës.

Por ndërkohë, duhet të shmangni ndjenjën e izolimit!

Mund të ndodhë megjithatë, që pavarësisht të gjitha këtyre mjeteve, natyra e sforcuar dhe e menjëhershme e kalimit nga zyra në mjedisin e shtëpisë, të ndikojë tek disa. “Koronavirusi po i shtyn të gjithë tek ky lloj të punuari ekstrem nga shtëpia,” thotë Nicholas Bloom, profesor ekonomie në Universitetin Stanford në Kaliforni. Ai thotë se ekzistojnë dy lloje të punës nga shtëpia: puna afatshkurtër ose rastësore dhe puna e përhershme ose me kohë të plotë në distancë. “Është njëlloj si të krahasosh ushtrimin e lehtë me stërvitjen në maratonë,” shprehet ai. Kjo e fundit është ende mjaft e rrallë – Bloom thotë se për shembull, vetëm 5% e forcës punëtore të SHBA-së, llogaritet si “punëtorë në distancë me kohë të plotë”. Me koronavirus, nuk është e qartë se sa kohë njerëzit do të qëndrojnë në shtëpi e kjo paraqet një problem shtesë. Prindërit, për shembull, do ta kenë më të vështirë të punojnë në shtëpi nëse do të kenë aty dhe fëmijët për shkak se shkollat e kopshtet janë të mbyllura. Prandaj konsiderohet thelbësor komunikimi me drejtuesit.

Mbajeni humorin lart

Izolimi i gjatë mund të ketë impakt mbi moralin dhe produktivitetin. Por sa më shumë përpjekje të bëni për të vendosur komunikimin me kolegët, aq më shumë shanse keni për të shmangur ndjenjën e izolimit, që siç thonë ekspertët, mund të çojë në depresion. “Në përgjithësi, një periudhë afatshkurtër, të themi dy deri në katër javë duke punuar me kohë të plotë nga shtëpia, do të ishte e dhimbshme ekonomikisht dhe personalisht, por e durueshme,” shprehen ata. “Por një periudhë më e gjatë, si për shembull dy apo  tre muaj pune me kohë të plotë në distancë mund të çojë në kosto serioze ekonomike dhe shëndetësore.” Zgjidhja për pengesat e punës nga shtëpia përfshin sa më shumë ndërveprim, qofte  edhe ballë për ballë në internet përmes video call-s e sigurisht, komunikimi i rregullt me menaxherët! /Marrë nga BBC, përktheu Gazeta SHQIP

Shiko dhe këto

Letër Kryeministrit…

  Letër kryeministrit, Dole dje dhe deklarove se me pikatore do të zbutësh masat shtrënguese …