Shtëpia / Editorial / Sa çuditen arabët me “pranverën” kuq e zi ?

Sa çuditen arabët me “pranverën” kuq e zi ?

“Pranvera Kuq e Zi”, artikuluar intensivisht këto ditë nga Presidenti Ilir Meta, na kujton “Pranverën Arabe” të vitit 2011. Ilir Meta, sigurisht nuk i është referuar vetëm qasjes stinore të fillimit të protestave anti puçiste apo anti qeveritare në Tiranë (ndoshta është rasti i parë që duhet regjistruar në analet e historisë botërore që një Qeveri bën grusht shteti) por ai heq një paralele, me simbolikë kuptimplote, midis dy Pranverave.

Çfarë ishte “Pranvera Arabe”, që të kuptojmë sa i saktë është Presidenti ynë në qasjen e tij. “Pranvera Arabe” është një term gazetaresk që u përdor nga mediat perëndimore dhe që më pas identifikoi një lëvizje masive protestash dhe rrebelimesh të popullsive të vendeve arabe si Libia, Siria, Tunizia, Jemeni e deri diku Bahrein, Jordani dhe Xhibuti, kundër klasave politike të korruptuara dhe të pasuruara në kurriz të popujve të tyre, si dhe duke përvetësuar pasuritë kombëtare. Shifrat e abuzimit dhe të vjedhjes nga politikanë dhe qeveritarë të këtyre vendeve, të cilët qëndruan me dekada në pushtet, janë vërtet të frikshme.

“Pranvera Arabe” solli përmbysjen e kësaj kaste. Aq e fuqishme ishte ajo sa pati nga ata udhëheqës politikë të cilët u vranë, madje edhe familjarisht, të tjerë u detyruan të merrnin arratinë, u burgosën përjetësisht. Vilat dhe pallatet luksoze u sekuestruan madje dhe u plaçkitën deri në zhvatjen e stolive dhe bizhuterive.

Po “Pranvera Kuq e Zi”?

Pranverën tonë e thirri vetë Presidenti.

Në dallim me “Pranverën Arabe”, në “Pranverën Shqiptare” i rrebeluari është Presidenti. Sikur të kishim një President të varfër, sic është Presidenti i Uruguajit Jose` Mujica, i cili është i njohur se 90% të rrogës së tij e dhuron për të varfrit, se Pallatin Presidencial e ka hapur për të pastrehët dhe se bën një jetë të thjeshtë spartane, nuk do habiteshim as ne shqiptarët, as arabët për një “Pranverë Homologe” në Ballkan.

Shqiptarët duhet të jenë ndjerë shumë të tallur dje, kur personi i cili çirrej, ulërinte dhe përbetohej nga tribuna e “Pranverës së Çuditshme Shqiptare” për shfarosje të klasës politike të korruptuar dhe të kriminalizuar është vetë simboli i korrupsionit shqiptar, madje si për të mbyllur ciklin e “Çudisë Shqiptare”, në detyrën më të lartë shtetërore, atë të Presidentit të Republikës.

Gjatë 30 viteve post komunizëm, shumë politikanë shqiptarë janë përgojuar, akuzuar për korrupsion, për përvetësim fondesh, por Presidenti ynë është i vetmi politikan i kapur me zë dhe figurë, pra në flagrancë duke ushtruar korrupsion dhe populli e pagëzoi me nofkën “Mister 7%”.

Në historinë e Shqipërisë, është i dyti politikan qeveritar i akuzuar drejtpërdrejt dhe publikisht nga homologët e tij (jo nga gojët e popullit) për vjedhjen e floririt, pas Ahmet Zogut.

Pyetja ime është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, jo vetëm për ata personazhe, të vetëdeklaruar kundër padrejtësive që i janë bërë këtij populli këto 30 vjet dhe që në emër të tyre ishin pjesë e dekorit të tribunës së “Pranverës së Çuditshme Shqiptare”, por për të gjithë shqiptarët:

A i duhen dhënë çelsat e “Pranverës Kuq e Zi” njeriut i cili në vend që të ishte në burg për korrupsion, përvetësim të fondeve publike dhe zhvatje të aseteve kombëtare, ironikisht Presidentit të Republikës, me emrin Ilir Meta?

 

Shiko dhe këto

Letër Kryeministrit…

  Letër kryeministrit, Dole dje dhe deklarove se me pikatore do të zbutësh masat shtrënguese …