Shtëpia / Editorial / Wall Street-it më në fund po i hapen sytë për dëmin që mund të bëjë koronavirusi!

Wall Street-it më në fund po i hapen sytë për dëmin që mund të bëjë koronavirusi!

Për javë të tëra, ka pasur një divergjencë të çuditshme mes atyre që përpiqen të parashikojnë se çfarë do të thotë koronavirusi për tregjet financiare dhe ekonominë botërore. Njerëzit në llogoret e tregtisë globale – menaxherë të zinxhirit të furnizimit, ekspertë të industrisë së udhëtimit, punëdhënës të mëdhenj dhe të vegjël – e paramenduan se do të kishte vështirësi të mëdha për bizneset e tyre.

Dhe autoritetet e shëndetit publik druheshin fort se sëmundja mund të përhapej përtej Wuhanit të Kinës. Megjithatë, tregjet financiare dhe shumica e parashikuesve ekonomikë profetizuan se shpërthimi i virusit nuk do ta dëmtonte shumë ekonominë dhe fitimet e korporatave – ose të paktën, s`do të ishte asgjë që një ulje e normës së interesit apo edhe dy nga Rezerva Federale nuk do ta ndreqte dot.

Indeksi S&P 500, të mërkurën e kaluar arriti majat. Por pas raporteve se infektimi po përhapej frikshëm në ekonomi të mëdha si Koreja e Jugut dhe Italia, një hije pesimiste zuri të binte mbi tregjet kryesore globale. Dhe që nga e mërkura e kaluar, S&P është tkurrur me më shumë se 7 përqind.

Të martën bonot e thesarit në SHBA zbritën në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, duke lënë të kuptohet se  investitorët duhet të presin dëme të konsiderueshme ekonomike, megjithë uljet e normës së interesit të Rezervës Federale. Mbizoteron një pasiguri e madhe lidhur me sa gjerësisht do të përhapet virusi dhe sa dëm do të bëjë. Vetëm tani bota financiare po kupton se cfarë rreziku i kanoset vërtet – dhe sa e ndryshme është kjo nga krismat e tjera të fundit në ekonominë globale, sic ishte lufta tregtare e vitit të kaluar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

“Është një gjë nëse bllokohet Wuhani, një gjë tjetër nësë bllokohet e gjithë Kina, një gjë tjetër nëse bllokohet e gjithë Azia dhe një krejt tjetër gjë nëse bllokohet e gjithë bota”, tha Patrick Chovanec, këshilltar i Silvercrest Asset Management dhe ekspert i ekonomisë kineze. “Kjo është arsyeja pse bindjet kanë ndryshuar – sepse është shumë ndryshe të kesh një vend të izoluar për disa javë dhe të kesh të gjithë ekonominë globale të bllokuar”, shton ai.

Që nga përfundimi i krizës globale financiare më shumë se një dekadë më parë, investitorët kanë qenë ata më të alarmuarit prej rreziqeve të ndryshme, për shkak të tendencës për të humbur para. Cmimet globale të aseteve kanë pasur një marshim të qëndrueshëm për lart, pavarësisht krizës së eurozonës, luftës tregtare dhe çdo problemi tjetër që ka pushtuar titujt financiarë.

Pra, është e kuptueshme nëse investitorët do të tregoheshin të shpejtë në supozimin se koronavirusi do të ndiqte një model të ngjashëm – kjo do t`i jepte një goditje të vogël ekonomisë së Kinës, por nuk do të kishte impakt afatgjatë. “Menaxherët e portofolit menduan se kjo situatë do të ishte e përkohshme, “tha Megan Greene, drejtuese në Harvard Kennedy School. “Ata supozuan se ky do të ishte një virus kalimtar, se do të përfundonte shpejt bashkë me dimrin, dhe e fjetën mendjen se edhe po ta kishin gabim, bankat qendrore do të ndihmonin të zgjidhej i gjithë lëmshi”. Tregjet e mësuara me optimizmin mund të jenë më të rrezikuarat nëse virusi bëhet një pandemi globale që i shkakton probleme tregtisë në ekonomitë kryesore.

Lufta tregtare, në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Kina vendosën tarifa për mallrat specifike të importuara, shkaktoi një rënie të konsiderueshme të prodhimit vitin e kaluar. Por koronavirusi po dëmton edhe industritë e shërbimeve. Nëse autoritetet në ekonomitë e mëdha botërore fillojnë të mbyllin çdo strukturë ku mblidhet një numër i madh njerëzish – listë kjo që përfshin fabrikat, qendrat tregtare dhe aeroportet – dëmi mund të rezultojë i gjerë dhe i qëndrueshëm.

Kur vendet në një hotel apo avion mbeten bosh për javë të tëra, atëherë kjo është një humbje që nuk rikuperohet dot sapo biznesi rikthehet me fuqi të plotë. Që do të thotë se edhe kompanitë të cilat arritën të dalin pa u lagur nga lufta tregtare, mund të ekspozohen ndaj humbjeve për shkak të koronavirusit. Sa më shumë të zgjasë bllokimi i prodhimit në Kinë dhe sa më shumë të zgjerohet harta e vendeve të detyruara të marrin masa të ngjashme, aq më shumë do të shohim përhapjen e virusit të cënojë aftësinë e kompanive globale për të bërë biznes.

Shiko dhe këto

Letër Kryeministrit…

  Letër kryeministrit, Dole dje dhe deklarove se me pikatore do të zbutësh masat shtrënguese …