Shtëpia / Editorial / Virusi i ri/ A bëhen dot parashikime për Covid-19?

Virusi i ri/ A bëhen dot parashikime për Covid-19?

Nga Robert Langreth dhe Michelle Cortez

Tashmë është përhapur më shumë se SARS-i në 2003. Mund të mos e ketë përfshirë globin si gripi i derrit në 2009-ën, por është më i rrezikshëm. Nuk i afrohet ritmit të tmerrshëm të vdekjeve nga Ebola në 2014, megjithatë mund të përcillet përmes ajrit. Ndonëse numri i rasteve të reja të koronavirusit në Kinë duket se po vjen duke u zbutur, ekspertët thonë se “ po përgatiten për një të ardhme me një sëmundje së cilës pandemitë e së shkuarës, as që i janë afruar”.

Karantina e provincës Hubei të Kinës, aty ku dhe nisi sëmundja, i dha botës disa javë kohë për të krijuar mbrojtjen e saj, por nuk e ndaloi virusin. Raste të reja shfaqen çdo ditë në mbarë globin, duke i hapur kështu potencialisht rrugën një pandemie. “ Cdo virus është i ndryshëm”, thotë Howard Markel nga Universiteti i Michiganit, i cili studion shpërthimet epidemike.

“ Nëse kemi mësuar ndonjë gjë nga epidemitë e së shkuarës, është se kush përpiqet të parashikojë të ardhmen në bazën e tyre është ose i çmendur, ose gënjen, sepse kjo nuk mund të ndodhë”.

Epidemitë përcaktohen zakonisht si shpërthime të sëmundjes që kufizohen brenda një rajoni apo një vendi. Kur përhapen më shumë, dhe krijojnë një reaksion zinxhir shpërthimesh në zona të shumta apo edhe vende të ndryshme, konsiderohen pandemi. E ky virus tani, i ka bashkë të gjithë elementët që mjaftojnë për të trembur ekspertët e shëndetit publik e për të tmerruar qytetarët e thjeshtë. Brenda më pak se tre muajve, ai ka infektuar dhjetëra mijëra vetë.

Njerëzit nuk janë përballur ndonjëherë më parë me të, e ndaj këtij virusi, sistemi I tyre imunitar është I cenueshëm. Nuk ka vaksina kundër tij, dhe nuk dihet si të trajtohen komplikacionet që shkakton. E vetmja gjë që fatkeqësisht, mund të thuhet me bindje në këtë moment, është se raste të reja do të vazhdojnë të shfaqen.

Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve deklaroi javën e kaluar se do të nisë verifikimin e pacientëve me simptoma të ngjashme me gripin ne pesë qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Po bëhet çdo përpjekje për të parë nëse virusi ka “rrëshqitur” shumë më tepër sesa 30 rastet e identifikuara deri tani. Në 1892, autoritetet në Hamburg të Gjermanisë, u shqetësuan mbi impaktin që do të kishte përhapja e kolerës në portin e tyre në lulëzim, e për këtë arsye, I mbajtën të fshehta një pjesë të rasteve të sëmundjes, çka lejoi që ajo të përhapej më shumë.

Në fund, mbi 8.000 vetë vdiqën nga kolera në qytet. Dhe sëmundja mbërriti asokohe deri në Nju Jork. Në Wuhan, autoritetet janë akuzuar se e kanë minimizuar kërcënimin e virusit gjatë javëve të para të shfaqjes së tij, dhe atëherë, do të kishte qenë mjaft më e lehtë për ta ndaluar. Një tjetër arsye e fshehjes së të vërtetës është dhe faktori ekonomik; epidemitë kanë gjithmonë një kosto gjigande. Ndalimi i lëvizjes dhe tregtisë mund ta ngadalësojë vërtet përhapjen e virusit, por bllokon dhe vetë ekonominë. Bota pritet ta kuptojë më mirë domethënien e kësaj sëmundjeje gjatë javëve në vijim.

“ Druhem se ky është vetëm fillimi”, thotë Michael Osterholm, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Minestoës. “Po u përhap nëpër botë, do të ngjajë me pandeminë e 1918-tës. Tre javët e ardhshme, do të jenë kritike”.

Shiko dhe këto

Letër Kryeministrit…

  Letër kryeministrit, Dole dje dhe deklarove se me pikatore do të zbutësh masat shtrënguese …