Shtëpia / Aktualitet / Analizë/ 9 kushtet e Bundestagut, ku është qeveria në arritjen e këtyre kushteve?

Analizë/ 9 kushtet e Bundestagut, ku është qeveria në arritjen e këtyre kushteve?

Në shtatorin e vitit të kaluar qeveria shqiptare ishte në pritje të vendimit të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave. Për të disatën herë Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ky rekomandim do t’i kalonte më pas shteteve anëtare për diskutim, ashtu siç ndodh edhe për të gjitha vendimet e tjera të rëndësishme të kësaj natyre, ku para dhënies së vendimit nga Këshilli Evropian ky vendim diskutohet më parë në parlamentet përkatëse të shteteve anëtare.

Siç ndodhi duhet thënë edhe në këtë rast. Disa shtete shfaqen rezerva për “detyrat e shtëpisë” që Shqipëria dukej që nuk i kishte bërë në ndryshim nga Maqedonia, por ajo që do t’i mëshonte më shumë këtij fakti duke vendosur madje edhe kushtet e saj do të ishte Gjermania. Ndaj edhe Bundestagu gjerman vendosi 9 kushte për Shqipërinë në mënyrë që vendimarrja e marsit, siç tashmë pretendohet të jetë pozitive për vendin tonë.

Në mbledhjen e posaçme për këtë qëllim, pra për votimin për hapjen e negociatave për Shqëipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Bundestagu miratoi 9 kushte për Shqipërinë. Këto kushte janë si më poshtë:

  1. Funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese
  2. Miratimi i reformës zgjedhore;
  3. Implementimi i reformës zgjedhore;
  4. Ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;
  5. Ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;
  6. Vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,
  7. Rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;
  8. Përparime në reformën e administratës publike;
  9. Sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Tani nisim me një analizë të shkurtër të kushteve të listuara, dhe sa nga këto kushte ka plotësuar deri më tani qeveria shqiptare.

Së pari, përsa i përket ngritjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë duhet thënë që pas një kohe të gjatë të mungesës së tyre, për Gjykatën Kushtetuese ka premisa pozitive se mund të bëhet funksionale deri në Mars, pasi pjesa më e madhe e anëtarëve të saj janë caktuar tashmë, të paktën ata që emërohen nga Parlamenti dhe Presidenti.

Por problemi është se çfarë do të ndodhë me 3 anëtarët që duhet të vijnë nga Gjykata e Lartë, kur kjo e fundit nuk është akoma funksionale për vete. Në total Gjykata Kushtetuese duhet të përbëhet nga 9 anëtarë, që sipas ligjit 3 vijnë nga parlamenti, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Pra çështja është se çfarë do të ndodhë me treshen e anëtarëve të gjykatës së lartë?

Përsa i përket miratimit të reformës zgjedhore, duhet thënë që kjo e fundit ka premisa pozitive të ndodhë brenda marsit, pasi tashmë të gjitha palët janë ulur në tryezë dhe ka një dakordësi mes tyre.

Ndërsa implementimi i saj si kusht më vete i Bundestagut mbase do të jetë më i vështirë, pasi palët edhe pse janë ulur në tryezë duket se do të kene kërkesa të ndryshme për njëra-tjetrën. Kërkesa këto që mund të cënojnë implementimin e suksesshëm të reformës.

Sa i përket ndjekjes penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar vettingun, duket se kjo do të jetë një kërkesë e vështirë për t’u plotësuar. Kjo pasi në Ligjin për vetingun nuk parashikohet përgjegjësi penale për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk e kanë kaluar vetingun. Edhe pse është aluduar se mund të ketë akte të tjera, që do të mveshin me përgjegjësi penale gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

Një tjetër kusht është edhe ajo e ndjekjes penale për autorët që kanë marrë pjesë në fenomenin e shit-blerjes së votave. Ky kusht duket se është nxitur nga përgjimet e dosjes së Dibrës dhe të Durrësit, në të cilat u shfaqën përfaqësues të lartë të qeverisë që presiononin, blinin apo premtonin në këmbim të votës. Këtij kushti mund t’i përgjigjemi me një pyetje të thjeshtë: a do t’i lërë qeveria që të përfundojnë në ndjekje penale dhe mbase në burg nëse ka prova njerëzit e saj të afërt?

Kushti i gjashtë për vënien në funksion të Prokurorisë Speciale SPAK, mund të themi që është tashmë një objektiv i arritur. Ndërsa përsa i përket rezultateve konkrete, apo arrestimit të atyre që edhe ish-ambasadori amerikan Lu i cilësoi si “peshqit e mëdhenj”, në syrin e të gjithë neve të paktën deri në momentin që flasim rezultate të tilla nuk kemi parë. Mbase do duhet akoma më shumë angazhim nga qeveria dhe drejtësia për të arritur këtë rezultat.

Përsa i përket reformës në administratë publike, përveç disa tentativave për dixhitalizim shërbimesh apo shtim të portaleve për ofrimin e shërbimeve obline duket se nuk ka rezultate të tjera. Edhe Ligji për Statusin e Nëpunësit Civil i vitit 2011 duket se nuk ka sjellë rezultatet e pritshme në këtë kuadër.

E së fundmi, dhe më pak i  mundur për t’u realizuar do të jetë kushti për nxjerrjen e një vendimi të gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese akoma nuk është formuar, siç edhe e analizuam më sipër. Ndaj nxjerrja e një vendimi deri në mars duket thuajse i pamundur.

Shiko dhe këto

Atentati në Astir/ Krimi për larje hesapesh, viktima i akuzuar për trafik droge

Zbardhen detaje rreth të shkuarës së 28-vjeçarit që u ekzekutua mbrëmjen e sotme në një …