Shtëpia / Editorial / Vendimet “e mëdha” të ish-kryeministrit Haradinaj!

Vendimet “e mëdha” të ish-kryeministrit Haradinaj!

Haradinaj e ka humbur marrëdhënien primare me qytetarin, apo me sovranin (siç i referohet ai shpesh) në favor të marrëdhënies sekondare e cila, është lufta e pakompromis për ruajtjen e pushtetit dhe goditja e kundërshtarit politik, madje edhe me çmimin, kur kjo ka rezultuar e dëmshme për Kosovën, siç është rasti me acarimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në

Në njërën nga këto ditë vere, përderisa me birin tim  po udhëtonim me makinë, e dëgjonim “Arcade Fire” dhe këngën e tyre “Reflector”, ndërkaq ai më pyeti se cili është mesazhi i këngës. I ndikuar nga shija ime për muzikë, atij kanë filluar t’i pëlqejnë “music beats” të zhanreve rock e alternativë të viteve 1970 dhe 1980 e deri te preferencat e mia për muzikën elektronike të ditëve të sotme, apo edhe kjo si puna e stilit të ”Arcade Fire” që, bën suksesshëm një integrim eklektik të indie-rock me dance-rock, i lidhur me elemente të pop-rock dhe të post-punk (pra, post diskove të viteve 1980- ta).

Mirëpo, jashtë shijes për muzikën, interesi i tij për të zbërthyer tekstin e këngës më konfirmoi se ai ka filluar të rritet dhe se ka kaluar koha, kur ia mbaja sytë dhe duart natën pasi që, zgjohej nga një ëndërr e keqe, apo kur në kopsht ia zgjatja duart që të arrinte ndonjë insekt në pemë. Kjo më konfirmoi që ka kaluar koha, kur ai  entuziazmohej aq shumë me zhurmën e makinës time kur kthehesha nga puna; se ka kaluar koha kur ia shpjegoja ciklin e jetës së fluturës apo edhe kur  vishesha si babagjysh për vitin e ri.

Me pyetjen e parashtruar nga ai, mua m’u bë e qartë se ka kaluar koha kur ai nuk e mbante mend dot a ishim të pasur apo të varfër, sepse pasuria jonë e vërtetë, ishin të qeshurat me lodrat tona si dhe të qeshurat pa fund pas rrahjeve me jastëk apo me fikjen e zgarës me ujë, vetëm dy minuta pasi e kisha ndezur.

Kjo pyetje, po ashtu, më konfirmoi se ka kaluar koha kur ai nuk dinte se çfarë është Kosova dhe duke mos pritur pyetjen e radhës, që së shpejti mund ta bënte ai, pra pyetjen se “ përse është në këtë gjendje Kosova”? Iu përgjigja shpejt, duke i thënë se teksti i këngës “ Reflector” të “Arcade Fire” afërsisht trajton temën e relacionit të njeriut me teknologjinë e me botën dixhitale dhe se si kjo e fundit ndikon që, njerëzit shpesh të humbin lidhjen e vërtetë mes tyre apo me realitetin objektiv.

Për t’ia ilustruar më thjeshtë (sepse ai po i dëgjon lajmet gjithandej) i thashë se kjo është diçka ngjashëm me atë se çfarë po i ndodh z. Haradinaj në raport me ne si qytetarë të këtij vendi.

I thashë se z. Haradinaj në masë të madhe është shkëputur nga realiteti objektiv, ashtu siç janë marrëdhëniet mes njerëzve që, realizohen vetëm përmes botës dixhitale. Biseda jonë vijoi pafund…

Në fakt, kënga “Reflector”, performuar nga “Arcade Fire” është një këngë që, në një mënyrë trajton rolin e botës dixhitale/teknologjisë në tjetërsimin apo largimin tonë, lidhur me marrëdhëniet që kemi me njerëzit e tjerë. Pra, kjo është ajo kthesa distopike e kohëve moderne. Smartfonët, rrjetet sociale dhe teknologjia që, përgjithësisht po bëjnë të mundur lidhje shumë të shpejta mes nesh, në këngën “Reflector” portretizohen si mashtrime apo përpjekje të rreme për të krijuar afërsi mes njerëzve.

Win Butler, një nga vokalistët e “Arcade Fire” ka përmendur se për ta realizuar këngën “ Reflector”, veç tjerash, ai është ndikuar nga eseja “Koha e tashme”, nga filozofi danez, Soner Kierkegaard. Kjo ese flet për dy faza të shoqërisë ; Epokën revolucionare dhe Epokën reflektive; kjo e dyta në mënyrë eksplicite përmendet në këngën “ Reflektor”, madje edhe në titullin e saj.

Eseja në disa pjesë të saj përshkruan se si në “ Epoken reflektive” njerëzit fillojnë  të  largohen nga lidhja e vërtetë me të tjerët. Në këngën “Reflector” përshkruhet se si sot dixhitalizmi/teknologjia e ka tjetërsuar lidhjen e vërtetë mes muzikës, audiencës dhe njerëzve në përgjithësi. Tejhuajësimi apo thënë më thjeshtë në lidhje me logjikën e shembullit të ‘Reflector’, ky lloj tjetërsimi ose largimi, pra, përshkruan mendjen njerëzore, e cila distancohet nga bota, në vend që të jetojë brenda saj. Kierkegaard, përveç anës filozofike, këtë e shihte edhe nga pikëpamja religjioze, pra, si ndarje nga Perëndia dhe  si rezultat i kësaj, i shqyrtoi edhe emocionet dhe ndjenjat e individëve, kur ballafaqoheshin me zgjedhjet e jetës.

Por, për dallim nga pikëpamja e Søren Kierkegaard si njëri nga inspiruesit e bendit “Arcade Fire”, shumë sociologë të fund shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, kanë trajtuar këto efekte edhe si pasojë e modernizimit. Për shembull sociologët gjermanë, Georg Simmel dhe Ferdinand Tönnies, kanë shkruar për mënyrën se si marrëdhëniet mes njerëzve bëhen gjithnjë e më shumë të ndërmjetësuara nga paratë dhe nga humbja e marrëdhënieve primare me njerëz, pra në favor të marrëdhënieve sekondare.

Kjo afërsisht i ka ndodhur z. Haradinaj gjatë qeverisjes së tij, në këto dy vitet e fundit. Si pasojë  e keqqeverisjes, që do të mbahet mend gjatë, ai ka rënë në një gjendje të tillë, e cila pasqyrohet me një integrim minimal të tij me interesat e kësaj shoqërie. Sado që, vendimet e tij bombastike për tarifën, për themelimin e ushtrisë apo për refuzim të dialogut lidhur me formatin e korigjimit, duken se e demantojnë  atë që thashë, në fakt, të gjitha këto vendime janë pikërisht njëlloj si ato vargjet  e këngës “Reflector”, me anën e të cilave, Win Butler, përshkruan se sado që teknologjia duket se i ofron njerëzit me një ”touch screen”, ajo është mashtrim, sepse, në fakt ajo e largon atë ndjesi edhe më shumë.

Njësoj edhe z. Haradinaj e ka humbur marrëdhënien primare me qytetarin, apo me sovranin siç i referohet ai shpesh, në favor të marrëdhënies sekondare e cila, është lufta e pakompromis për ruajtjen e pushtetit dhe goditja e kundërshtarit politik, madje edhe me çmimin, kur kjo ka rezultuar e dëmshme për Kosovën, siç është rasti me acarimin e marrëdhënieve të Kosovës  me SHBA-të.

Rasti me ilustrativ është çështja e tarifës 100%. Lidhur me tarifën, kam shprehur mendimet e mia në një shkrim, në nëntor të vitit 2018, dhe me këtë  rast po citoj: “Përmes vendimit për tarifën 100% z. Haradinaj ma kujton afërsisht personazhin e plakut Santiago te “Plaku dhe deti’ te Ernest Heminguejt. Plaku Santiago, i vetmuar në det lufton me peshkaqenët të cilët, ia kapin prenë.

Në fund plaku mposht peshkaqenin, por detyrohet të kthehet në breg vetëm me skeletin e peshkut të madh, sepse mishin ia kishin ngrënë peshkaqenët. Kjo është, pra, triumf në një betejë, por njëkohësisht edhe humbje. Në fakt, vendimi për tarifën 100% paraqet vetëm majën e Ajsbergut për zhvillimet politike në vijim… kjo qeveri nuk ka jetëgjatësi të trajnerit e as sukses të ekipit, sepse me presionin ndërkombëtar e sidomos atë amerikan, kjo tarifë do të anulohet ose do të bjerë kjo qeveri”.

Saktësisht, tetë muaj më vonë ndodhi kjo, sepse Haradinaj dha dorëheqje. Qartë u pa se  “Zotërat e Olimpit” nuk punojnë vetëm me shkop e karotë, por edhe me kërbaç.  Në  “Disneylandin” tonë kjo tarifë ishte win-win vetëm për Radojçiqët e Veselinoviçët, të cilët nuk mund të ndiqen nga Interpoli dhe kështu ata vazhduan t’i kontrabandojnë mallrat serbe në kufirin e gjelbër. Ndërsa, në jug të Ibrit, çmimet vetëm sa u rritën.

Tarifa 100% i dha mundësinë Serbisë ta luajë rolin e  viktimës para faktorit ndërkombëtar, diçka që, historikisht ata e bëjnë mirë dhe tani Brukseli e sidomos Franca , Gjermania dhe SHBA-ja gishtin për bllokimin e dialogut e kanë drejtuar kah Kosova.

Rasti i dytë që ilustron shkëputjen e z. Haradinaj nga bota reale politike, është ai i procesit të liberalizimit të vizave. Lidhur me këtë proces, nga të gjitha kriteret që, ishin përmbushur nga qeveritë paraprake, z. Haradinaj la të pa përmbushur të vetmin kriter, atë të korrupcionit, i cili u rrit gjatë kësaj qeverisje, ashtu si cunami. Realisht, e përmbushi kriterin e demarkacionit me të njëjtën marrëveshje për shkak të së cilës e kalli parlamentin me gaz lotsjellës dhe pikërisht, për shkak të asaj situate  u vonua liberalizimi i vizave për gjithë këto vite.

Në funksion të analizës së mësiperme, pak a shumë i ngjashëm është edhe rasti i vendimit tjetër “të madh” të themelimit të ushtrisë dhe deklarata e Haradinajt se Kosova pas formimit të FSK-së do të aplikojë për integrim në NATO. Ne  duhet ta kujtojmë lexuesin vetëm për disa fakte të shpejta. Kosovën nuk e njohin katër anëtare të NATO-s dhe pa njohjen e tyre, ne as në ëndërr s’mund ta imagjinojmë procesin e integrimit në NATO.

Në fakt, Kosova për shkak të kësaj arsyeje, nuk ka as marrëdhënie formale me NATO-n.  Interaksioni me NATO-n nuk realizohet nga Shtabi i NATO-s në Bruksel, por përmes prezencës së KFOR-it (nën Rezolutën 1244) dhe përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NATO Advisory and Liaison Team). Kosova, pra, nuk është as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (PPP) të NATO-s dhe  po ashtu, nuk ka qasje të plotë  në të gjitha programet e NATO-s.

Duke mos pasur qasje në partneritet të plotë me NATO-n, për shkak të mosnjohjes nga katër shtete të NATO-s (nga to me e zëshmja Spanja), Kosova ka qasje të kufizuar vetëm në disa programe të NATO-s si për shembull : Ndërtimi i Programeve të Integritetit, Divizioni i Diplomacisë Publike, etj. Nëse e krahasojmë me Bosne dhe Hercegovinën,  ajo është pjesë  e PPP-së  që nga viti 2006 dhe ka qasje të plotë në programet e NATO-s. Bosna dhe Hercegovina ka po ashtu, të dakorduar me NATO-n që nga viti 2008  Planin e Veprimit për Partneritet Individual (Individual Partnership Action Plan -IPAP).

Ky plan, i cili është unik për secilin vend, përbëhet nga fusha, instrumente dhe  mekanizma të ndryshëm të bashkëpunimit midis NATO-s dhe vendit përkatës. Kosova, natyrisht se pa njohjen e katër shteteve të NATO-s  nuk ka mundësi për plane të tilla. Serbia e cila, nuk dëshiron të jetë pjesë e NATO-s ka shkuar aq larg në bashkëpunimin me NATO-n sa që, ka të dakorduar në vitin 2015 Planin e Veprimit për Partneritet Individual dhe e ka gati një plan të tillë të dytë për dakordim me NATO-n.

Rrjedhimisht, kur themi se do të  integrohemi në NATO dhe se në çfarëdo agresioni nga Serbia do t’i mbrojmë kufijtë ushtarakisht, i bie afërsisht sikur ajo thënia e rrugëve : “ që në dasëm nuk shkohet me organ të huaj” ( bëhet fjalë për organin gjenital mashkullor). Të gjithë e dimë se ushtarët amerikanë e ruajnë Liqenin e Ujmanit dhe të gjithë ne me anë të një hulumtimi në internet,  vërejmë shpejt se Serbia investon mbi 900 milion euro në vit për armatim dhe Kosova diku rreth 60 milion. Rrjedhimisht, formimi i ushtrisë në mënyrën se si është bërë, është më shumë për konsum populist se sa që i ndërton rrugë të shpejtë integrimit të saj në NATO.

Shtetet anëtare të NATO-s, që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë bërë të qartë se hapja e mundësisë së integrimit të Kosovës në NATO shkon vetëm përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ku mes tjerash përfshihen edhe çështjet e sigurisë dhe, kjo arrihet vetëm me dialog me Serbinë, mundësi kjo e bllokuar nga z. Haradinaj.

Kur flasim për dialogun, premisa  mbi të cilën z. Haradinaj e ndërtoi kauzën e radhës, bllokimin e dialogut përmes tarifës në emër të ruajtjes së kufijve, ishin premisa falco. Si mund të ndërtojë dikush një kauzë mbi premisa të tilla, kur i njëjti e votoi marrëveshjen e njëjtë të demarkacionit, për të cilën, më herët vetë thoshte se po ia redukton Kosovës kufijtë e saj, respektivisht po ia humb 8000 hektarë territor.

©Copyright Gazeta SHQIP

Shiko dhe këto

Faleminderit bijtë e Dardanisë

Shqipëria u plagos rëndë nga tërmeti i pamëshirshëm që nuk kurseu jetët e pafajshme të …