Shtëpia / Editorial / Basha “i vetëm” në parti!

Basha “i vetëm” në parti!

Në selinë e Partisë Demokratike duket se gjithçka ka “ngrirë”. Pasojat që erdhën nga vendimi drastik i Bashës për djegien e mandateve dhe më pas bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit kanë dhënë efektet e para.

Shumë demokratë janë zhgënjyer jo pak, ndërsa aleatët edhe më shumë. Sipas tyre, shkak është bërë strategjia që ka zgjedhur Basha për bojkot total të institucioneve, sepse demokratët kanë mbetur të papërfaqësuar si në nivel qendror edhe në atë lokal.

Pikërisht, ky fakt nuk ka sesi të anashkalohet nga shumë figura me eksperiencë në PD, të cilët me dhe pa zë e konsiderojnë të papranueshëm. Ata më guximtarët kanë gjetur brenda vetes kurajon për ta thënë publikisht gabimin e madh të Bashës dhe të ndonjë tjetri që rri afër me të.

Jo vetëm kaq, por ata artikulojnë qartë edhe mosmarrjen e mendimit kolegjial të strukturave të Partisë, qoftë në nivel qëndror, qoftë në atë lokal. Këmbëngulja e Bashës që të vazhdojë në këtë linjë duke paralajmëruar se nuk pranon të hyjë në negociata për datë të re zgjedhjesh pa largimin e kryeministrit Edi Rama i ka shtuar edhe më shumë zërat kundër strategjisë së kryetarit.

Po kush janë emrat që i kërkojnë llogari Bashës dhe a janë atë mjaftueshëm për t’i kërkuar “hesap” liderit?!

Astrit Patozi ndoshta duhet lënë mënjanë, pasi vendosi të krijojë një forcë të re politike, me të cilën hyri edhe në “provimin e parë” elektoral paçka se nuk doli fort i kënaqur, ose më saktë ashtu siç e priste. Sepse në fund të fundit, ai priste të merrte vota nga të djathtët e papërfaqësuar.

Por, zëri më i fortë kundër Bashës, që ishte deri diku edhe i pritshëm ishte Jozefina Topalli. Tejet e ashpër jo thjesht ish-deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, por një nga emrat më të rëndësishëm në kohën e drejtimit të PD nga Berisha, pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, në një status të gjatë në rrjetet sociale, renditi një pas një dështimet e Bashës në krye të PD-së.

Sipas saj, Basha nuk arriti që të mbante asnjë nga premtimet që dha në nisje të aksionit opozitar në shkurt të 2019; që nga largimi i Ramës e deri tek qeveria tranzitore. Duke qenë një ndër politikanet me mjaft karrierë mbi shpinë, Topalli tha se Basha e çoi Partinë Demokratike në vetëvrasje politike.

“Pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka më asnjë pushtet. Partia Demokratike nuk është më as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki. Me urdhrin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxori atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhëtur e fyer, mbi 400 mije demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse. Pas kësaj, premtoi se do krijonte qeverinë teknike dhe do rrëzonte Edi Ramën. Sot, me moshyrjen në zgjedhje, jo vetëm që nuk arriti asnjërën, por i dhuroi Ramës të gjitha bashkitë, të gjitha pushtetet” – shkruante Topalli, e cila për hir të së vërtetës fitoi edhe në rrjetet sociale, pasi postimi i saj mori shumë më shumë pëlqime, komente dhe shpërndarje se kundërpërgjigja e Bashës po në facebook, përmes njerëzve të tij.

“Shpërthimi” i ish numrit 2 të PD, Arben Ristani, që tha se strategjia e Bashës po na çon drejt humnerës, ishte një tjetër nga zërat e shumtë të eksponentëve demokratë kundër linjës radikale të Bashës. Nuk mbeten pas as Rudina Hajdari me mandat të vetë Bashës dhe jo nga lista plotësuese.

Listës “kundër” i shtohen Edit Harxhi, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi madje edhe Glauk Olldashi, djali i Sokol Olldashit, por sigurisht edhe shumë të tjerë, që ndoshta ende publikisht janë të dyzuar të kërkojnë largimin e Bashës, por me mendje e dëshirojnë fort një gjë të tillë.

Eksponentë të Partisë Demokratike flasin për tradhëti nga Basha, për konfliktualitet me ndërkombëtarët, për izolim të partisë. Ka edhe nga ata që bëjnë pak a shumë përgjegjës edhe Berishën, që sipas tyre ia “dhuroi” Partinë Bashës, duke mos dhënë asnjë arsye se përse!

Por edhe në degët lokale thuajse problematika është e njëjtë. Dy emrat më të lakuar Xhelal Mziu dhe Voltana Ademi janë armiqësuar deri në ekstrem me Bashën, sepse për shkak të taktikës së tij humbën bastionet. Nuk është pak të thuhet se socialistët për herë të parë në tre dekada morën Bashkinë e Shkodrës.

Xhelal Mziu dhe Voltana Ademi e konsiderojnë dorëzimin e bastioneve të tyre pa luftë dhe kjo erdhi vetëm pas vendimit radikal të Bashës, i mbështetur nga një grusht njerëzish që numërohen me gishtat e njërës dorë.

Dukshëm pakënaqësitë në radhët e demokratëve janë rritur dhe ndoshta me kalimin e të nxehtit klimaterik, për Bashën nuk do të ketë ditë të qeta, sepse nuk është çudi të nisë “i nxehti politik”, që e çon Bashën në “gijotinë”, ose do të thellojë përçarjen më shumë se deri tani.

Shiko dhe këto

Faleminderit bijtë e Dardanisë

Shqipëria u plagos rëndë nga tërmeti i pamëshirshëm që nuk kurseu jetët e pafajshme të …