Shtëpia / Editorial / Sali Berisha, është katandisur në një lobist të Sandër Frangajt!

Sali Berisha, është katandisur në një lobist të Sandër Frangajt!

PD është në ankth, për atë çfarë mendon Sali Berisha. Ka shumë pyetje që tani duan përgjigje dhe ata që ende besojnë tek Berisha dhe PD e vjetër, duan një përgjigje prej tij. Duan përgjigje çfarë do të bëjnë me 13 Tetorin e Ilir Metës, çfarë do bëjnë me 30 Qershorin e Edi Ramës, çfarë do bëjnë me Lulzim Bashën, çfarë do bëjnë me premtimet për të mos dorëzuar bashkitë, çfarë do bëjnë me premtimin për të rrëzuar Edi Ramën, çfarë do bëjnë me shëndetin e Ilir Metës, …dhe dhjetra pyetje të tjera.

Gjatë këtyre ditëve ka pasur plot debate, por ato janë kuzuar mes Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës, mes Dash Shehit e Nard Ndokës, mes Tit Vasilit dhe Ben Ristanit etj. Sali Berisha nuk ka folur për politikë, këtu e një muaj pas 30 Qershorit. Zemërimi i tij i fundit në dukje me Lulzim Bashën ka qenë tërheqja nga dhuna më 30 Qershor dhe paranoja se e ka shitur tek Perëndimorët, duke u thënë se “nuk kam çfarë t’i bëj atij plakut”.

Por sot ka folur. Në një postim të tij të gjatë e të detajuar si të ishte gazetar investigativ, ai ka shkruar për problemet brenda kompanisë “Digitalb”, për ish drejtorin që dikur ka dashur ta gjobisë me 8 milionë euro dhe drejtorin aktual, që e quan vegël të Ben Blushit. I ka bërë thirrje Vjollca Hoxhës me “dashamirësi” të shpëtojë Digitalb-in dhe të zbojë Blushin, dhe duket gati sikur i thotë se “unë gjithë jetën ta kam dash të mirën”.

Është shokuese, se si njeriu tek i cili ka sytë gjithë opozita e hutuar, e braktisur, e tradhëtuar dhe e lënë rrugëve, shfaqet publikisht duke u shpjeguar opozitarëve në këtë pikë vape dhe mërzie, se halli i tij kryesor, çka do të thotë dhe halli i opozitës, është fati i kompanisë “Digitalb”.

Shkaku është se pas disa problemesh, qartësisht pazare biznesi, Tv Klan është larguar nga platforma, duke shkuar tek “Tring”. Ajo që mund të kuptojnë opozitarët e lodhur në këtë pikë vape, nga reagimi i parë i Berishës pas 30 Qershorit, është se halli kryesor i tyre tashmë mbetet halli i Aleksandër Frangajt. Madje më saktë, halli i Fevziut, i cili mendon se duke mos qenë në “Digitalb”, por brenda “Tring”-ut, ai është i konkurrueshëm nga Sokol Balla apo të tjerë. Nuk është problem pse është kaq i shqetësuar për ta, pasi askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në dashurinë mes Berishës, Frangajt apo Fevziut, por një investim kaq politik, në mes të mijëra halleve që ka realisht opozita, tregon qartë se Sali Berisha, është katandisur në një lobist të Sandër Frangajt dhe për hallet banale të biznesit të tij. Kjo tregon shumë për parimet e tij dhe pazaret e errëta me të si sekser.

Në një kohë kur vetë opozita përpiqet të politizojë tregun e shtypit, kur përpiqen të prodhojnë skema kontrolli të Edi Ramës, i cili duke ngrënë darka e dreka me botues, herë pas here i qorton

ata, kur përpiqen të thonë se po transferohen emisione nga një Tv në tjetrin për shkak të censurës, bash mu në mes të kësaj fushate të rëndë kundër Edi Ramës si njeri që kap Media, shfaqet Sali Berisha si i kapur nga media, dhe i qan hallin TV Klan, pse po ndërron platformën digitale ku transmetohet.

Tani gjithë ata opozitarë që shikojnë Frangajn me Ramën, gjithë ato akuza se Rama i ka dhënë rrugën e Balldrenit dhe Orikumit me PPP, gjithë ato akuza se ai rri në paradhomën e Ramës për halle oligarkësh, kanë vetëm një shpjegim dhe ky është shumë poshëtrues për Sali Berishën. Sandri qenka i dërguari i tij për pjesën që i “takon” në gjithë këto tendera e koncesione për të cilat opozita akuzon Frangajn, ndryshe nuk do vajtonte me kaq dhimbje për një mosmarrëveshje biznesi privat të Sandrit.

Opozita në një anë ngeli duke u ankuar dhe vajtuar për kostot e rrugës Milot- Balldren, apo Orikum- Dukat, që i faturohen Frangajt si lobist, ndërsa lideri shpirtëror i opozitës i qan hallin Sandrit se po zhvendoset në një paltformë tjetër transmetimi. Halli real i Berishës është se mos i dobësohet Sandri nga sherri me Blushin. Nuk qenka hall i vogël,

po që se e ka sekserin e vet pranë Ramës, por është shumë poshtëruese për opozitarët e shkretë, që presin të hapë gojën Berisha për hallet e tyre dhe ai e hap për hallin e Frangajt e Fevziut.

Shiko dhe këto

Faleminderit bijtë e Dardanisë

Shqipëria u plagos rëndë nga tërmeti i pamëshirshëm që nuk kurseu jetët e pafajshme të …