Shtëpia / Editorial / Ilir Meta, kryetari i ri i Partisë Demokratike!

Ilir Meta, kryetari i ri i Partisë Demokratike!

Ilir Meta ka pasur qëndrime të ndryshme për politikën në vend, ose më saktë ajo çfarë është prodhuar prej saj. Në jo pak raste, vetë Meta ka qenë protagonist i një klime acaruese, ndërsa në raste të tjera ka portretizuar politikanin “babaxhan” e gjithëpërfshirës, madje duke pohuar zgjidhje krizash pëmes “qetësisë dhe dashurisë”.

Por, asgjë nuk mjafton për ta bërë Ilir Metën liderin e pashmangëshëm të konfliktualitetit. Madje, Meta në këtë moment më shumë se të tashmes, i trembet të ardhmes së tij politike. Sidomos e vënë kjo në diskutim pas marrëveshjes “historike” të Ramës dhe Bashës në 17 majin e vitit 2017, pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve parlamentare të atij viti.

Duke qenë politikan “i rrahur” me një mal përvojë, Meta e kuptoi se më shumë se një zgjidhje e krizës që nisi me çadrën e lirisë të Partisë Demokratike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, marrëveshja kishte në shënjestër vetë Metën jo si individ, por si kreu i një force politike “plangprishëse” mes dy të mëdhave.

Për Partinë Socialiste, LSi ishte forca politike që po thithte çdo ditë nga elektorati i saj, ndërsa për Partinë Demokratike rreziku vinte nga një tkurrje gjithnjë e në rritje.

Pra me pak fjalë, edhe Rama edhe Basha ishin të rrezikuar nga LSI, gjë që për Bashën u duk qartë e pastër në 2017, kur pati një rënie drastike të përqindjes së votave, në nivelin më të ulët si kurrë ndonjëherë.

Duket ndoshta e çuditshme, por marrëveshja e 17 majit “e detyroi” Metën të pranojë postin e presidentit të hedhur në terren nga vetë Rama. Sipas Ramës kjo zgjedhje nënkuptonte një “rehabilitim” individual të Metës dhe një shkrirje të LSI.

Por nuk shkoi gjithçka sipas skenarit politik të Ramës. Sepse, Basha theu rregullat, shkeli marrëveshjen. Lideri demokrat që deri në atë kohë nuk kishte lënë asnjë gjurmë mirëfilli lidershipi bëri të tjera gafa, një prej të cilave dalja nga linja e Berishës. Madje, në listat e deputetëve për zgjedhjet e qershorit 2017 nuk kishte thuajse asnjë emër të grupit berishian (Topalli, Patozi, Bode, Kruja, Imami e të tjerë).

Basha “i vetëm trim në luftë” pranoi të fusë në “gjirin opozitar” Lëvizjen Socialiste për Integrim, për të cilën ishte betuar e stërbetuar se asnjëherë nuk do të kishte një koalicion me të, as në qeveri dhe as jashtë saj, premtim që mbeti thjesht deklarativ.

Pavarësisht zhvillime të vrullshme të politikës, Meta si president është në kulmin e progresit politik. Sepse, së pari është dukshëm i vendosur në rolin e liderit opozitar, nëse thjesht kthen në vëmendje qëndrimet e muajve të fundit.

Zhdekretimi i 30 qershorit, dekretimi për një datë të re, më pas ftesat për një dialog, me qëllim zgjidhjen e krizës dhe tashmë duket edhe më hapur qëndrimi i tij si lider i opozitës, teksa kërkon demokracinë, gjoja në emër të “instalimit” sipas tij të diktaturës nga Edi Rama.

Meta ka folur si kryetar i PD për shumë kohë. Por a mund të jetë ai një i tillë në të ardhmen?! Unë mendoj se për këtë nuk ka më dyshime. Duke folur për demokracinë në Shqipëri, Ilir Meta, më shumë po mendon për të qenë në krye të PD.

Vetë Basha është në një trysni të paparë, së pari nga vetë aleatët, që i kërkojnë me çdo kusht të vendosë për hyrjen në zgjedhjet e 13 tetorit, qoftë edhe me Ramën kryeministër. Por Basha nuk mundet të shkojë në këtë udhë, sepse, do të ndeshet me militantët e tij, ata që nuk është çudi ta tradhtojnë bindshëm, nëse hyn në zgjedhje me Ramën, duke hequr dorë nga kauza disamujore, e shoqëruar me lënie mandatesh dhe protestash lokale e kombëtare.

Ndaj, gjasat janë që PD të shkrihet përfundimisht dhe nëse analizon me vëmendje dhe “laps në dorë” Metën dhe gjithçka që ka bërë Presidenti, që nga mesi i muajit qershor e deri më tani, duket shumë e thjeshtë. Me gjithçka po tentohet që Meta të “rrëzojë” Bashën dhe të jetë ai në krye të PD.

Nuk është çudi që kjo të jetë edhe një marrëveshje e fshehtë nga ato që politika i “pjell” shpesh, sidomos në situata të tensionuara.

Megjithatë, Meta do të jetë në krye të PD dhe Basha i vënë tashmë nën akuzë nga shumë eksponentë demokratë dhe me mjaft karrierë politike. Këta të fundit, në jo pak raste, kryesisht në rrjete sociale e kanë kryqëzuar Bashën, aq sa janë gati të nisin aksionin  “Basha ik!” në shtator.

A do të ndodhë shpejt?! Sipas Metës, shtatori është shumë vonë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Shiko dhe këto

Xhuvani dhe Baxhaku, të dy ata tok

Nuk ka kush në Shqipëri në pragun e gjysmës së dytë të shekullit të XX …