Shtëpia / Sport / Reja dhe Salihi projektojnë të ardhmen e Kombëtares

Reja dhe Salihi projektojnë të ardhmen e Kombëtares

Trajneri i ri i kombëtares shqiptare Edoardo Reja ishte i pranishëm në tribunën Vip të stadiumit Selman Stërmasi për të ndjekur nga afër sfidën Tirana-Kastrioti teksa pranë tij qëndronin edhe dy ikona të klubit bardheblu Hamdi Salihi dhe Ervin Bulku të cilët pritet të jenë edhe ndihmësit e tij.

Reja do të debutojë ndaj Islandës dhe ka mbrritur shumë më herët në Shqipëri pikërisht për të përgatitur sa më mirë dy sfidat e tij të para të kuqezinjëve për të njohur nga afër lojtarët, grumbullimet e të cilëve do t’i nisë që në fillimin e kësaj jave ku do të punojë me një grup lojtarësh të cilët kanë përfunduar angazhimet me klubet e tyre për këtë sezon. Në një intervistë për Top Chanell, Edy Reja zbuloi disa detaje të grumbullimit të tij të parë me kuqezinjtë.

“Duhej t’i njihja më parë, sepse nuk kemi pasur kohën e duhur. Tani që jemi këtu duhet të njoh të paktën fytyrat, sepse mund të jenë 25 lojtarë ose 28 dhe ne kemi shumë pak kohë në dispozicion.

Kështu që duhet të fillojmë të krijojmë ide të qarta. E kam një listë me 32-33 futbollistë, por është e qartë se më të favorizuarit janë ata që aktivizohen më shumë, sepse kemi nevojë për ata që janë në gjendjen më të mirë fizike”, tha Edoardo Reja, trajner i kombëtares shqiptare.

I pyetur për futbollistët që do të grumbullojë, Reja pranoi se do të bazohet te grupi aktual, por pa e përjashtuar mundësinë e prurjeve të reja në skuadër.

“Do të mbaj grupin aktual të lojtarëve, por padyshim që do të ketë edhe prurje të reja, sidomos të atyre lojtarëve të rinj që po i studioj. Më pas do të vendosim në një moment të dytë”, tha Edoardo Reja.

Mënyra e lojës është një tjetër çështje që u prek nga trajneri italian i skuadrës kuqezi.

“Të gjithë presin që skuadra të luajë në sulm dhe unë jam një prej tyre, por për këtë duhen elementët e duhur që duhet të marrësh në konsideratë, ndërkohë që duhet vlerësuar edhe kundërshtari që ke përballë”, tha tekniku italian Reja.

Në fund, trajneri Reja konfirmoi se skuadra do të udhëtojë drejt Gjermanisë për përgatitjet e saj, për shkak të klimës së ngjashme me atë të Islandës, por edhe për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin.

Shiko dhe këto

Gjesti i gjyqtarit shqiptar bëhet hit botëror, e kopjojnë edhe të huajt (VIDEO)

Ndeshja bamirëse mes ekipit të Granit Xhakës dhe Milot Rashicës kaloi me shumë entuziazëm në …