Shtëpia / Sport / Napoli “çmonton” Interin, Atalanta thyen Juven

Napoli “çmonton” Interin, Atalanta thyen Juven

Shkuan në Napoli për të festuar kualifikimin në Ligën e Kampionëve, por zikaltrit e Luciano Spallettit dolën nga stadiumi “San Paolo” me një nga humbjet më të thella sezonale, 4-1.

Ndonëse pa objektiva fare, të besuarit e Carlo Ancelottit treguan që në minutat e para se nuk kanë ndërmend të lëshojnë, duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën zikaltër, ndërsa zhbllokuan sfidën në minutën e 16’, pas një goli spektakolar të Zielinskit.

Interi nuk kishte fuqi të reagojë, ndërsa Lautaro Martinez ishte i izoluar në majë të sulmit, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte 1-0, ndërsa 45-minutëshin e dytë Spalletti e nisi me Icardin në fushë, në vendin e Politanos.

Por kjo lëvizje rezultoi fatale, pasi skuadra u shthur dhe nuk po arrinte të mbyllte hapësirat me vendosjen e re, ndërsa këtë e shfrytëzoi maksimalisht Napoli, që shënoi edhe 3 herë të tjera, me Mertens dhe dopietën e Fabian Ruiz, duke çuar shifrat në 4-0.

Goli i vetëm i zikaltërve u shënua nga Mauro Icardi, i cili fitoi një 11-metërsh, që më pas e gjuajti saktësisht dhe e dërgoi në rrjetën e portës së Carnezis, duke i dhuruar vetes pak kënaqësi, pasi kishte javë që nuk shënonte.

Me këtë humbje, Interi zbret në vendin e katërt dhe tashmë duhet të fitojë patjetër ndaj Empolit në javën e fundit në “San Siro”, për të ruajtur pozicionin dhe për t’u bërë pjesë e edicionit të ardhshëm në Ligën e Kampionëve.

Një rezultat mjaft të mirë mori edhe Atalanta në “Allianz Stadium”, ku doli me një pikë falë barazimit 1-1 ndaj Juventusit, në mbrëmjen e festës së titullit kampion për bardhezinjtë, por edhe lamtumirës së Barzaglit dhe Allegrit.

Josip Iliçiç shënoi për bergamaskët në pjesën e parë, ndërsa Juventusi baraspeshoi shifrat me anë të Mario Mandzukiç, 10 minuta para fundit të sfidës, rezultat ky që mbeti i pandryshuar deri në fund, por vlen të theksohet se në minutat shtesë Bernardeschi u ndëshkua me karton të kuq.

Me këtë barazim, Atalanta ngjitet në vendin e tretë dhe është “zot” i fatit të saj, pasi do t’i duhet të fitojë në ndeshjen e fundit në shtëpi, përballë Sassuolos, për të siguruar pjesëmarrjen në Champions.

Ky barazim ishte një rezultat që shkaktoi trishtim edhe në shtëpinë e Milanit, pasi kuqezinjtë tashmë nuk kanë asgjë në dorën e tyre dhe në javën e fundit, përveç fitores me Spalin, duhet të luten edhe që Interi ose Atalanta të gabojnë.

Shiko dhe këto

Gjesti i gjyqtarit shqiptar bëhet hit botëror, e kopjojnë edhe të huajt (VIDEO)

Ndeshja bamirëse mes ekipit të Granit Xhakës dhe Milot Rashicës kaloi me shumë entuziazëm në …