Shtëpia / Dosier / Ekskluzive / Reis Malile: Kadare të gjejë pretekste të ndryshme dhe të mos shkojë për intervistë në ‘TV France 2’

Ekskluzive / Reis Malile: Kadare të gjejë pretekste të ndryshme dhe të mos shkojë për intervistë në ‘TV France 2’

Dashnor KALOÇI

Ashtu siç pamë dhe në kapitujt paraardhës të këtij libri, fillimi i viteve ’80-të e në vazhdim, ka rezultuar me një numër të madh ftesash për shkrimtarin e njohur shqiptar, Ismail Kadare, për të marrë pjesë në evente, aktivitete, festa, intervista dhe emisione të ndryshme, këto kryesisht në Francë ku ai tashmë ishte bërë mjaft i njohur që nga fillimi i viteve ’70-të kur atje u përkthye dhe botua për herë të parë romani i tij. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në këtë mori ftesash, diku në fundin e dhjetorit të vitit 1984, në ambasadën shqiptare në Paris kishte mbërritur një letër e presidentit të Shtëpisë Botuese “Fayard”, Klod Dyrand, i cili e ftonte shkrimtarin e njohur shqiptar për të marrë pjesë në emisionin “Apostrof” të kanalit të dytë të Televizionit Francez. Ftesa në fjalë i ishte dërguar paralelisht edhe vetë Kadaresë, të cilin Dyrand e kishte tashmë një mik të ngushtë dhe, gjithashtu, një prej autorëve të huaj më të njohur dhe më të botuar në Shtëpinë e Librit që a drejtonte prej vitesh. Në këtë kontekst, Dyrand, po ndërhynte si “palë e tretë” në mes Kadaresë dhe kanalit të dytë të televizionit kryesor francez, ku që në vitin 1981, ai (Kadareja), kishte dhënë një intervistë në emisionin “Apostrof” që e drejtonte gazetari i mirënjohur, Benard Pivot. Intervistë e cila nuk ishte transmetuar, për shkaqe nga më të ndryshmet?! Ku si Kadare, apo më saktë pala shqiptare (që kishte miratuar atë intervistë), ashtu dhe ajo e redaksisë së emisionit “Apostrof”, ia hidhnin fajin njëri tjetrit?! Dhe gjithçka në këtë ngatërresë, apo më saktë “molla e sherrit” ishte bërë Hrushovi, personazhi i Kadaresë në romanin “Dimri…”, për të cilin ai si autor ishte pyetur dhe më pas censuruar në intervistën e dhënë prej tij në kanalin e dytë të Tv Francez?! Këtë “lëmsh të ngatërruar”, Dyrand kishte marrë përsipër që ta zgjidhte njëherë e mirë, pasi që nga dita e dhënies së intervistës e deri në momentin që ai ishte ulur dhe kishte përpiluar ftesën për mikun e tij nga vendi i vogël komunist i Ballkanit, jo vetëm që i kishte mbetur dhe i qëndronte si “nyje gordiane”, por madje me mjaft probleme. Pasi redaksia dhe gazetari Bernard Pivot, jo vetëm që e kishin përsëritur disa herë ftesën për ta ribërë intervistën në fjalë, por ai kishte shkruar edhe një artikull në shtypin francez, me titull “Duke pritur Kadarenë”, ku në të flitej pikërisht për këtë “lëmsh të ngatërruar” që sapo cituam e prekëm shkurtimisht më lart. Dhe nisur nga gjithë këto nderime, apo më saktë “salltanete”, që po i bëheshin në një farë mënyre Kadaresë, si nga botuesi i njohur i “Fayard”-it, ashtu dhe nga gazetari i njohur, Pivot, që i kishte bërë ftesë publike me anë të artikullit që cituam më lart, duket se e kanë vënë në pozitë dhe siklet të madh shkrimtarin e njohur shqiptar, aq sa, si rrallë herë, është detyruar që t’i shkruaj një letër zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, me shpresën se mund të zgjidhej ai problem. I gjendur në mes “dy zjarresh”, Kadare është munduar që në letrën e tij të mbajë “një ekuilibër’, mes tyre. Por edhe pse letrës së Kadaresë, i ka paraprirë edhe një letër zyrtare e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli, (gjithnjë në mbështetje të kolegut të tij), duket se titullarët kryesorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk kanë dashur të dinë dhe të dëgjojnë “nga ai vesh”?! Kjo duket qartë dhe në dokumentin në fjalë (dhe faksmilet përkatëse), ku si zëvendësministri Sokrat Plaka, ashtu dhe ministri, Reiz Malile, kanë qenë në të njëjtën “gjatësi vale”, për “problemin Kadare”, ku dhe kanë dhënë përgjigje negative lidhur me vajtjen e tij në Francë?! Kjo do të ishte gjysma e së keqes, pasi “e keqja” e tyre shkonte më larg: pasi ata porosisnin që Kadareja të mos u thoshte francezëve të vërtetën, por “të gjente pretekste të ndryshme, për të mos shkuar në emisionin “Apostrof”?! Duke pasur parasysh se si funksiononte ai regjim komunist, as Sokrat Plaka dhe as ministri Reiz Maile, nuk mund ta jepnin atë përgjigje për Kadarenë “nga koka e vet”, pasi ata për probleme të asaj natyre, konsultoheshin dhe merrnin vendime gjithnjë nga ata “lart”. Dhe përgjigja që ka ardhur prej tyre, po të kemi parasysh edhe disa prej dokumenteve që publikohen në këtë libër dhe jo vetëm, duket që nuk ka qenë befasuese për Kadarenë?! Pasi që nga prishja e njëanshme nga autoritete zyrtare shqiptare e kontratës së “Gjeneralit…” e në vijim…., shkrimtari i njohur shqiptar do të ishte vazhdimisht “i refuzuar” nga udhëheqja e lartë për të gjitha ftesat që i vinin nga jashtë?! Kjo gjë konfirmohet edhe nga këto dokumente që po publikojmë në këtë pjesë të librit si dhe të tjera në kapitujt në vijim, ku të gjitha botohen të plota dhe pa asnjë shkurtim.

MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTEME
Drejtor i Shtëpisë Botuese “FAYARD”, Klod Durand, na ka dërguar një kopje të letrës dërguar shokut Ismail Kadare lidhur me përgjigjien për të marrë pjesë në emisionin “Apostrof” të kanalit të dytë të Televizionit Francez. Ai vë në dukje se kanalet e TV Francez janë të pavarur nga njëra tjetra dhe emisioni “Apostrof” zhvillohet direkt dhe jo me regjistrim. Ai shpreson që këto të dhëna lejojnë që të rishikohet vendimi i marrë, mbasi pjesëmarrja e Kadaresë në këtë emision do të ndihmojë në përhapjen më shumë të letërsisë shqiptare në Francë.
Tiranë, më 15 janar 1985
Ambasada Paris

 
……………………………………
Shoku Sokrat
Po ju dërgoj letrën që ka marrë nga para dy ditësh nga drejtori i Shtëpisë Botuese “Fayard”, si përgjigjie të letrës sime, ku unë refuzoja ftesën e TV Francez, për të cilën ju jeni në dijeni.
Siç shihet nga kjo letër e dytë, drejtori i “FAYARD”-it e përsërit ftesën e tij, duke dhënë garanci për mos përsëritjen e një incidenti të tillë dhe duke nënvizuar faktin që kanalet e TV Franceze kanë drejtori të veçantë.
Në vazhdim të bisedës sonë lidhur me konceptimin e letrës sime të refuzimit, një nga porositë tuaja ishte që në këtë letër ishte që; kurrsesi të mos jepej përshtypja e një qëndrimi kapriçioz, të një kokëfortësie të pajustifikuar nga ana ime dhe e treta dhe kryesorja të një pengese administrative për këtë udhëtim. Besoj se në letrën time të refuzimit, janë marrë parasysh këto porosi. Por letra e dytë e drejtorit të “FAYARD”-it dhe përsëritja e ftesës për një afat që unë do ta gjeja të përshtatëshëm, ngre përsëri problemet e mësipërme. Ju kujtoj me këtë rast që historia e ftesës për në emisionin letrar “Apostrof” e ka zanafillën qysh në vitin 1981. Më vonë Bernard Pivot, drejtuesi i emisionit e ka bërë atë publike në një artikull të revistës që drejton me titull “Duke pritur Kadarenë”, botuar në maj të vitit 1984, shumë kohë përpara këtij incidenti me intervistën për rënien e Hrushovit. Refuzimi im, plotësisht i drejtë e i justifkueshëm pas prerjes të intevistës sime, është praktikist i treti.
Duke i kërkuar falje për shqetësimin ju lutem që, në kushtet e përsëritjes së ftesës nga shtëpia botuese, ta shikoni edhe njëherë këtë problem.
Me respekt
Tiranë, më 15 janar 1985
Ismail Kadare
……………………………….
Drejtoria e II
I n f o r m a c i o n
Drejtori i Shtëpisë Botuese “Fayard’, Klod Dyrand, i ka dërguar një letër shokut Ismail Kadare, si përgjigie që ky i fundit refuzonte ftesën e kanalit të dytë të televizionit francez për të marrë pjesë në emisionin “Apostrof”.
Duke shprehur dëshpërimin për refuzimin në letrën e dytë, drejtori i “Fayard” përsërit ftesën duke dhënë garanci për mospërsëritjen e incidetit me intervistën për rënien e Hrushovit. Klod Dyrand vë në dukje se kanalet e televizionit francez janë të pavarur nga njëri tjetri dhe emisioni zhvillohet direkt jo me regjistrim paraprak. Ai shpreson se këto të dhëna lejojnë që të rishikohet vendimi i marrë, mbasi pjesëmarrja e Kadaresë në këtë emission do të ndihmonte në përhapjen më shumë të letërsisë shqiptare në Francë.
Sipas mendimit të udhëheqjes së Ministrisë, problemi u la që të shikohej nga vetë Lidhja e Shkrimtarëve me K.Q. të Partisë. Për këtë u bisedua me shokun Dritëo Agolli. Por, mbasi Lidhja e Shkrimtarëve veproi, Aparati i K.Q. të Partisë porosit që çështja të shikohet nga Ministria e Punëve të Jashtëme.
Nisur nga fakti se, shoku Ismail Kadare është një personalitet një figurë e mirënjohur, si brenda dhe jashtë vëndit e lëtërsisë sonë të re, që të mos përsëritet një incident i dytë, siç qe ai me intervistën për rënie e Hrushovit, pavarësisht nga garancitë që jep drejtori i shtëpisë botuese, jemi të mendimit që shoku Ismail Kadare të qëndrojë në mendimin e shprehur në letrë e dytë të tij, ku me shumë kujdes refuzon ftesën.
Tiranë, më 13.2.1985
Shoku Reiz shënon:
“Mendoj të falenderojë dhe me
pretekste të ndryshme të mos shkojë”
………………..
LIDHJA E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE   Tiranë, më 26.4.1985
TE SHQIPERISE
Nr.69. Prot.
MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTEME
(Drejtorisë së Dytë)
Tiranë
Vitin që shkoi shkrimtari Ismal Kadare ka marrë një ftesë të përsëritur për të asistuar në fillim të vitit 1985 në një emision letra televiziv. Ndërmjetësuesi për ftesën ka qenë shtëpia Botuese “fayard”.
Mirpo në qershor të vitit 1984, televizioni francez e censuroi intervistën e Ismal Kadaresë dhënë me rastin e 20 vjetorit të rënies së Hrushovit. Ky incident bëri që Ismail Kadare, sipas konsultimeve me organeve përkatëse, ta refuzojë, me të drejtë ftesë e dytë të TV Francez, duke shpjeguar dhe arsyet.
Shtëpia Botuese “Fayard”, gjithmonë në rolin e ndërmjetësit, e ripërsëriti kërkesën e saj, duke e justifkuar me faktin se kanalet e ndryshme të Tv Francez kanë drejtori të ndryshme dhe se kanali 2 ku do të jepej intervista letrare nuk ka përgjegjësi për incidetin.
Më 12 mars 1985 Ismail Kadare, pasi u konsultua me organet përkatëse (aparati i K.Q), iu përgjigj letrës së presidentit të “Fayard”-it duke i thënë se ai ishte gati dhe nuk ka ndonjë pengesë të shkojë në Francë, nëqoftë se do ta ftonte Shtëpia Botuese, por kurrsesi s’pranonte të kishte punë me Tv Francez.
Presidenti i “Fayard”-it në përgjigjien e tij të datës 25 mars pranon kushtin e paraqitur dhe e fton I. Kadarenë në Francë, tashmë nga ana e shtëpisë botuese, ashtu siç kishte dhënë parapëlqimin, I. Kadare.
Meqënse ky shërbim i shkrimtarit tonë na intereson për të bërë njohur letërësinë shqipe dhe meqënse I. Kadare, siç e shpjeguam më lart e ka dhënë tashmë premtimin për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës, mendojmë të miratohet vajtja e tij në Francë.
Bashkangitur po ju dëgojmë letrën e drejtorit të “Fayard”-it, si dhe letrën e Ismail Kadaresë.

K R Y E T A R I
(Dritëro Agolli)

Pëgjigjuni
Mendojmë se tani nu është koha e përshtatëshme
Reiz Maile
…………………………….
REPUBLIKA POPULLORE
SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNEVE TE
JASHTEME
Drejtoria e Dytë
Tiranë, më 7.5.1985

LIDHJES SE SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE
T i r a n ë
Gjegje shkresës tuqaj Nr. 69. Datë 26.4.1985
Lidhur me ftesën e datës 25 mars 1985, që presidenti i shtëpisë botuese “Fayard” i bën shokut Ismail Kadare për të shkuar në Francë, mendojmë se tani nuk është koha e përshtatëshme për t’u realizuar një gjë e tillë.
ZEVENDESMINISTRI
(Sokrat Plaka)

Shiko dhe këto

Ekskluzive/ Ministri: Kadare të mos shkruajë në ‘La Liberation’, ajo i dha hapësirë Leka Zogut

Dashnor KALOÇI Nisur nga fama e madhe që kishte marrë shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail …