Shtëpia / Dosier / EKSKLUZIVE/ “Kadareja të mos anëtarësohet në P.E.N. Klub dhe të mos shkojë në Kongresin e Shkrimtarëve në Francë”

EKSKLUZIVE/ “Kadareja të mos anëtarësohet në P.E.N. Klub dhe të mos shkojë në Kongresin e Shkrimtarëve në Francë”

Dashnor KALOÇI

Fama e madhe që gëzonte në botë dhe kryesisht në qarqet frankofone shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare që në fillimin e viteve ’70, bënte që në adresë të tij të vinin mjaft ftesa, që ai të merrte pjesë në takime, simpoziume, konferenca e kongrese të ndryshme shkrimtarësh, ku mblidheshin e takoheshin emra të njohur të letrave nga e gjithë bota. Një nga këto ftesa është edhe kjo që po publikojmë në këtë pjesë të librit, ku kryetari i P.E.N. Klubit francez, Rene Taverinier, në vitin 1981, e ka ftuar shkrimtarin e njohur shqiptar për të marrë pjesë në Kongresin e 45-të Ndërkombëtar të tij, madje duke i sugjeruar që Kadareja të bëhet edhe anëtar me të drejta të plota të atij organizmi letrar. Dhe në këtë kuadër, ai nuk i ka dërguar Kadaresë thjesht një ftesë kortezie, por atë e ka shoqëruar me një letër ku i shpreh admirimin e tij për librat, që pothuaj ia ka lexuar të gjitha. Madje ai e konsideron Kadarenë si një nga romancierët më të fuqishëm të pasluftës dhe i shprehet se mbetet në pritje të përgjigjes së tij pozitive. Letra me ftesën në fjalë, ka shkuar në adresë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku kryetari i saj, Dritëro Agolli, sipas praktikës dhe rregullave me të cilët funksiononte ai organizëm që kryesonte, ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke dhënë edhe mendimin e tij dhe duke sqaruar se përse Kadareja duhej të shkonte në atë kongres shkrimtarësh në Francë. Mirëpo, dashamirësisë së Agollit nuk i janë përgjigjur me të njëjtën monedhë edhe funksionarë e titullarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, prej nga do kalonte dhe do merrte aprovimin ajo praktikë pune. Siç shihet edhe nga dokumenti në fjalë, zv/ministri Ksenofon Nushi, apo siç njihej ndryshe edhe si “shoku Çeno” (për shkak edhe të raporteve të shkëlqyera që kishte me Enver Hoxhën, duke qenë një nga njerëzit më të besuar të tij në diplomaci), në letrën që i ka dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve, ka dhënë përgjigje negative, duke sugjeruar që “nga ana e Kadaresë të bëhet një letër falënderimi për ftesën”. Nuk dihet me saktësi, nëse është thjesht një koincidencë fatale, por plot një muaj para se t’i vinte ajo ftesë (3 prill 1981), shkrimtari Ismail Kadare është thirrur në Komitetin e Partisë të Tiranës nga sekretari Xhelil Gjoni, lidhur me “një grup armiqësor” ku ishte “implikuar” e motra e tij, Kadrie Kadare. Dhe kësisoj, në atë atmosferë të ngjarjeve, ku bëhej fjalë se personat me të cilët “ishte pleksur” e motra e Kadaresë, kishin thënë “gjëra monstruoze për Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”, miratimi i lejes për të ikur jashtë Kadareja, do ishte “një luks”, që “shokët e udhëheqjes” nuk do kishin këllqe ta mbanin. Sidomos kur bëhej fjalë për “Komandantin”! Gjithsesi, refuzimi i kësaj ftese për Kadarenë, nuk do të ishte as e para dhe as e fundit. Pasi, siç do të shohim edhe në kapitujt pasardhës të këtij libri, për plot një dekadë, deri në 1991-shin, shkrimtari Ismail Kadare do të ishte vazhdimisht “i refuzuar” nga Tirana zyrtare në të gjitha ftesat që i vinin nga jashtë. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve që botohen në faqet e këtij libri, edhe këto në këtë kapitull jepen të gjitha të plota.

LIDHJA E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE
Tiranë, më 11.7.1981
TE SHQIPERISE
Nr 187 prot.

MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTME
Drejtorisë së dytë

Tiranë
Shokut Ismail i ka ardhur një ftesë nga klubi i njohur francez P.E.N (poetë, eseistë, novelistë), e nënshkruar nga kryetari i tij, Rene Taverinier. Ky klub, që bën pjesë në Federatën Ndërkombëtare Letrare P.E.N., e fton Ismail Kadarenë që të bëhet anëtar i jashtëm (asoccie) i tij, dhe gjithashtu të asistojë në Kongresin e 45-të Ndërkombëtar të P.E.N.-it, që do të zhvillohet në Lyon e Paris nga data 21 deri më 25 shtator 1981.
Letrën, të dhënat për Federatën Ndërkombëtare P.E.N., për Klubin francez P.E.N., programin e Kongresit dhe disa të dhëna të tjera po jua bashkëngjitim.
Me sa jemi në dijeni, P.E.N. Klubi ka pasur faza të ndryshme të qëndrimeve të tij (në vitet ’50, për shembull, ai ka kaluar edhe në pozita antikomuniste). Por ai ka pasur, nga ana tjetër, si kryetarë shkrimtarë të tillë të shquar si Xhon Gollsuorthi, Artur Mileri e Hajnri Belli, apo si Anatoli Franssi, i cili ka qenë kryetar i P.E.N. Klubit të Francës.
Në Kongresin e 45-të Ndërkombëtar të P.E.N.-it, do të jetë i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i UNESKO-s, si dhe ministri Francez i Kulturës.
Jemi të mendimit se, pa qenë nevoja që Ismail Kadareja të bëhet anëtar i P.E.N-it të Francës, ai të jetë i pranishëm në Kongres, nëse ju nuk keni ndonjë informatë tjetër në lidhje me qëndrimet e sotme të federatës ndërkombëtare letrare P.E.N.
Mendojmë se është me interes që të shprehim edhe ne pikëpamjet tona, duk shfrytëzuar bisedat rreth tavolinës së rrumbullakët, për disa çështje, siç janë:
-Kriza e letërsisë në botë dhe zhvillimi i letërsisë së re të realizmit socialist te ne.
-Vendi i poezisë në kulturën botërore dhe poezia jonë.
-Disa tipare të letërsisë sonë.
Jemi të mendimit, gjithashtu, se tribuna e këtij kongresi, ku do të jenë të pranishëm shumë shkrimtarë të njohur të botës, mund të shfrytëzohet me dobi prej nesh për të shprehur gjykimin tonë edhe mbi ngjarjet në Kosovë, për të dhënë ndonjë intervistë, për të fituar miq të rinj në radhët e shkrimtarëve të shquar të botës, për të marrë kontakt me drejtorin e përgjithshëm të UNESCO-s, si dhe për t’u informuar konkretisht për P.E.N Klubin, për këtë organizatë që është sot e vetmja organizatë e njohur nga UNESCO-ja, në mënyrë që të shikohet pastaj edhe problemi i aderimit ose jo të Ismail Kadaresë në P.E.N Klubin e Francës, si anëtar i tij i jashtëm.
Sipas të dhënave të materialeve të dërguara, shpenzimet duhet t’i përballojë Lidhja.
Lutemi na jepni mendimin tuaj për sa më sipër.
K R Y E T A R I
(Dritëro Agolli)
……………………………


P.E.N. KLUB FRANCE
Kryetari 6, rue Francois-Miron 75004
Telefon 255.37.87
Paris, 6 maj 1981

Zotit Ismail Kadare
Pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
Tiranë Shqipëri
R.T. MB-383
Zotni
Me admirim të madh kam lexuar librat tuaj të përkthyera në frëngjisht-duke m’u dukur i fundit, ndoshta më i admirueshmi.
Ju jeni një nga romancierët më të fuqishëm dhe origjinalë të brezave të pasluftës; më ndjeni që po ju drejtoj aq drejtpërdrejt këto komplimente, që janë shprehje e stimës sime shumë të madhe dhe shumë të zjarrtë për veprën tuaj, stimë të cilën e ndjejnë edhe anëtarët tanë, kështu që P.E.N francez – rrezatimin e të cilit, shpresoj, ju e njihni dhe e çmoni, – më ka kërkuar t’ju them se do të dëshironim praninë tuaj në Kongresin e 45-të Ndërkombëtar të P.E.N.-it (bashkëngjitur programin) dhe praninë tuaj në gjirin e P.E.N-it FRANCEZ si anëtar i jashtëm (associe), (bashkëngjitur 4 faqe lidhur me P.E.N-in).
Në pritje të përgjigjes suaj pozitive, kësaj dëshirës së dyfishtë, ju lutem të besoni, Zotni, në konsideratën time të lartë.

Rene Tavarnier
K r y e t a r i
Bashkangjitur
Programi i Kongresit
Dosja e P.E.N-it
……………………………

DREJTORIA E DYTE Tiranë, më 20.7.1901
Sektori i Evropës Perëndimore

INFORMACION DITOR
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve me shkresën e saj Nr. 187, datë 11.7.1981, na njofton se Ismail Kadaresë i ka ardhur një ftesë (letër) nga Klubi i njohur letrar francez P.E.N. (poetë, eseiste, novelistë), nga kryetari i tij, Rene Tavernier. Ky klub bën pjesë në Federatën Ndërkombëtare Letrare të P.E.N. dhe e fton I. Kadarenë që të bëhet anëtar i jashtëm (associe) i tij, dhe në të njëjtën kohë të asistojë në Kongresin e 45-të Ndërkombëtar të P.E.N.-it që do të zhvillohet në Lyon e Paris nga data 21-25 shtator 1981. Sipas të dhënave të Lidhjes sonë të Shkrimtarëve dhe Artistëve, ky klub ka pasur faza të ndryshme të qëndrimeve të tij (në vitet ’50 ai ka kaluar edhe në pozita anti-komuniste), por ai ka pasur, nga ana tjetër, si kryetarë shkrimtarë të tillë të shquar si; Xhon Gollsuorth, Arthur Miller, Hajnrih Beli, dhe Anatoli Fransi, ky i fundit ka qenë edhe kryetar i P.E.N. të Klubit të Francës. Në Kongresin e 45-të Ndërkombëtar të P.E.N. do të jetë i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, si dhe ministri i Kulturës i Francës. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve është e mendimit që I. Kadareja të marrë pjesë në kongres, por të mos bëhet anëtar i P.E.N. të Klubit të Francës. Pjesëmarrja e tij ka interes, sepse në këtë mënyrë ne shprehim pikëpamjet tona në këto takime për disa probleme, siç janë:
-Kriza e letërsisë në botë dhe zhvillimi i letërsisë së re të realizmit socialist te ne.
-Vendi i poezisë në kulturën botërore dhe poezia jonë.
-Disa tipare të letërsisë sonë.
Të të njëjtit mendim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve jemi edhe ne.
……………………………


Drejtoria e Dytë, Nr 2121/1

Lënda: Për një ftesë që ka marrë I. Kadareja nga Franca.

LIDHJES SE SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE

(Degës së Jashtme)
TIRANE

Në përgjigje të shkresës suaj Nr. 187, datë 11.7.1981, që bën fjalë për një ftesë që ka marrë shkrimtari I. Kadare nga Klubi letrar francez P.E.N. (poetë, eseistë, novelistë), nënshkruar nga kryetari i tij, Rene Tavernier, jemi të mendimit që të mos bëhet anëtar i jashtëm i këtij klubi dhe të mos marrë pjesë as edhe në Kongresin e 45-të Ndërkombëtar të tij, që do të mbahet në Lion dhe Paris në shtator të këtij viti. Nga ana e I. Kadaresë të bëhet një letër falënderimi për ftesën. Megjithatë, për sa sipër merrni edhe mendimin e aparatit të KQ të PPSH-së.

Zv/ministri
(Ksenofon Nushi)

Shiko dhe këto

Ekskluzive/ Ministri: Kadare të mos shkruajë në ‘La Liberation’, ajo i dha hapësirë Leka Zogut

Dashnor KALOÇI Nisur nga fama e madhe që kishte marrë shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail …